“Rezultatet ekonomike të Qeverisë së udhëhequr nga Hristijan Mickoski janë katastrofalisht të këqija, ndërsa qytetarët përballen me çmime më të larta dhe gjithnjë e më vështirë i mbulojnë shpenzimet”, thonë në një kumtesë për media nga partia opozitare maqedonase LSDM.
Nga kjo parti pretendojnë se gropa në Fondin pensional ka arritur një miliard euro, se investimet janë në nivel të ulët dhe se borxhet janë rritur për katër miliardë euro.
LSDM kritikon edhe gjendjen me buxhetin, duke iu referuar të dhënave nga Ministria e Financave, sipas të cilave deficiti buxhetor këtë vit do të tejkalojë 900 milionë euro, përkatësisht pesë për qind të BPV‑së.
Nga partia akuzojnë se deficiti i planifikuar tashmë është shfrytëzuar, të ardhurat dështojnë dhe se Qeveria paralajmëron borxhim të ri përmes një ribalanci të ri të buxhetit.
LSDM thekson se, sipas tyre, në vend të rezultateve ekonomike dhe investimeve, Qeveria po shtrin dorë mbi resurset kombëtare, përfshirë ujin, mineralet dhe tokën.






