“Loja e ndytë e VV-së” – reagojnë ashpër deputetët e LDK-së që ishin kundër marrëveshjes për presidentin

Nacionale

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës që kishin kundërshtuar marrëveshjen me Lëvizjen Vetëvendosje për zgjedhjen e presidentit kanë reaguar pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit, e cila pritet të vazhdojë të premten. Ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka akuzuar LVV-në për zvarritje të procesit, duke thënë se kjo situatë ishte e pritshme. […]

Madhësia e shkronjave

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës që kishin kundërshtuar marrëveshjen me Lëvizjen Vetëvendosje për zgjedhjen e presidentit kanë reaguar pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit, e cila pritet të vazhdojë të premten.

Ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka akuzuar LVV-në për zvarritje të procesit, duke thënë se kjo situatë ishte e pritshme.

“Besoj se loja e tyre që ka qenë e pritur nuk ka shpjegim tjetër, kështu siç e kanë vonuar edhe vitin e kaluar, edhe sivjet u bë një muaj e sa, nuk pritet gjë tjetër prej tyre”, ka deklaruar Hoti.

Sipas tij, propozimi i LDK-së për nënkryetar të Kuvendit është në përputhje me Kushtetutën dhe nuk duhet të zvarritet procedura.

“Është propozim i yni, na takon me Kushtetutë si propozim”, ka thënë Hoti, duke shtuar se, sipas tij, zvarritja mund të lidhet edhe me synimin për t’i çuar zgjedhjet në një datë që u konvenon subjekteve politike.

Reagim ka pasur edhe deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili ka thënë se “dita e përgjegjësisë” do të vijë.

“Populli i Kosovës do ta japë ndëshkimin politik për këto dy vite të humbura, për bllokadat dhe papërgjegjësinë”, ka shkruar Gashi.

Ai ka kritikuar një parti që, sipas tij, i fiton zgjedhjet dhe më pas e bllokon vendin, duke bërë thirrje që LDK-ja t’u rikthehet vlerave të saj dhe qytetarëve.

Ndërkaq, deputeti Armend Zemaj e ka cilësuar situatën si “dyfytyrësi” dhe “lojë të ndytë” të LVV-së.

“Dyfytyrësia, loja e ndytë e VV-së, që ju paralajmërova”, ka shkruar Zemaj.

Edhe deputetja Hykmete Bajrami ka reaguar shkurt pas ndërprerjes së seancës, duke ngritur pyetjen se kush po i bllokon institucionet.

“Kush po i bllokon institucionet? Sot besoj se e patë të gjithë”, ka shkruar Bajrami.

Legjislatura e 11-të e Kuvendit të Kosovës nuk është konstituuar as në vazhdimin e 9 shtatorit.

Deputetët kanë zgjedhur Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por ngërçi tash u krijua te votimi i nënkryetarëve. Vazhdimi i seancës u shty për 11 shtator, në orën 11. /Telegrafi/