Biblioteka Publike e Los Angelesit po feston 100-vjetorin e saj me një ekspozitë të pazakontë: librin më të madh pop-up në botë, i cili është certifikuar zyrtarisht nga Guinness World Records.
Libri, i titulluar “Luceros y Penumbras”, që përkthehet “Dritat e yjeve dhe hijet”, është ekspozuar në Bibliotekën Qendrore Richard J. Riordan. Ai u krijua me porosi të bibliotekës për të shënuar përvjetorin e saj të 100-të.
Vepra është realizuar nga artisti Daniel González, ndërsa inxhinieria e elementeve prej letre u krye nga Matthew Reinhart dhe Ann Marshall. Prodhimi dhe montimi në përmasa të plota u realizuan nga kompania Goodnight & Co.
– YouTube www.youtube.com
Kur hapet plotësisht, libri ka përmasa rreth 4.7 metra me 6.1 metra, ndërsa strukturat tredimensionale prej letre ngrihen deri në 3.35 metra lartësi, transmeton Telegrafi.
Për shkak të përmasave të jashtëzakonshme, kthimi i faqeve kërkon bashkëpunimin e një ekipi prej 10 personash. Disa prej tyre përdorin edhe shkopinj të mëdhenj për të manovruar faqet gjigante.
Librat pop-up dallohen nga elementet tredimensionale që ngrihen kur hapen faqet, duke krijuar skena dhe figura që dalin përtej sipërfaqes së zakonshme të letrës. Në rastin e “Luceros y Penumbras”, kjo teknikë është realizuar në një shkallë të pazakontë, duke e kthyer librin në një vepër artistike monumentale.
Guinness World Records e ka certifikuar tashmë veprën si librin pop-up më të madh të të gjitha kohërave, duke e bërë atë një prej atraksioneve kryesore të ekspozitës së organizuar për 100-vjetorin e bibliotekës. /Telegrafi/