Trump vë në dyshim zgjedhjet në Brazil

Bota

Presidenti amerikan, Donald Trump, e cilësoi të hënën procesin zgjedhor në Brazil si të dyshimtë, duke pretenduar se votimi “dukej i manipuluar”, pa paraqitur prova për këtë akuzë. Deklarata e tij erdhi pasi presidenti i majtë, Luiz Inácio Lula da Silva, mposhti kandidatin e djathtë Flávio Bolsonaro në zgjedhjet e mbajtura gjatë fundjavës, transmeton Telegrafi. […]

Madhësia e shkronjave

Presidenti amerikan, Donald Trump, e cilësoi të hënën procesin zgjedhor në Brazil si të dyshimtë, duke pretenduar se votimi “dukej i manipuluar”, pa paraqitur prova për këtë akuzë.

Deklarata e tij erdhi pasi presidenti i majtë, Luiz Inácio Lula da Silva, mposhti kandidatin e djathtë Flávio Bolsonaro në zgjedhjet e mbajtura gjatë fundjavës, transmeton Telegrafi.

Duke folur me gazetarët, Trump tha se zgjedhjet “dukej se kishin shkuar shumë keq” dhe i krahasoi me një tjetër proces të pretenduar si të manipuluar.

I pyetur nëse kishte mbështetur ndonjërin nga kandidatët, presidenti amerikan u përgjigj se nuk kishte mbajtur anë, por theksoi se zgjedhjet duhet të jenë të padiskutueshme.

Flávio Bolsonaro fillimisht refuzoi ta pranonte fitoren e Lulës, duke deklaruar se ishte “e pamundur” të njihej rezultati dhe se zgjedhjet duhej të anuloheshin. Më vonë, ai tha se do të organizonte opozitën kundër qeverisë së re.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale të hënën, Bolsonaro pretendoi gjithashtu se i ishte ndaluar largimi nga Brazili dhe se kishte marrë një njoftim për dorëzimin e pasaportave të tij.

Trump e kishte pritur Flávio Bolsonaron në Shtëpinë e Bardhë në fillim të këtij viti. Pas takimit, ai e kishte përshkruar kandidatin si një të ri të zgjuar, që e do shumë vendin e tij, Brazilin. Flávio është djali i ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro.

Administrata Trump ka përshëndetur së fundmi një valë fitoresh të kandidatëve të djathtë në disa vende të Amerikës së Jugut. Javën e kaluar, Trump deklaroi se rajoni, i cili sipas tij kishte qenë i orientuar kryesisht nga e majta, tashmë po lëvizte drejt së djathtës.

Ai pretendoi gjithashtu se kishte mbështetur disa prej kandidatëve fitues dhe se të gjithë ata që kishte përkrahur kishin dalë fitues.

Deklaratat për zgjedhjet në Brazil vijnë në një kohë kur Trump po shpreh publikisht mbështetje për figura të së djathtës në rajon, ndërsa pretendimet e tij për manipulim të votimit në Brazil nuk u shoqëruan me prova konkrete. /Telegrafi/

Komentet