Foto: ubas.org.rs
Kryetari i fundit shqiptar i Komunës së Bajës së Siarinës ishte Rahim (Hysen) Abazi nga fshati Sfirca, i njohur ndryshe si Rahimi i Hysenit apo Plisbardhi. Ai e ushtroi këtë detyrë deri në vjeshtën e vitit 1956, kur kjo komunë pushoi së funksionuari si njësi e veçantë administrative.

Në detyrën e nënkryetarit ishte Zeqir (Fezë) Uka nga Tupalla, i njohur si Zeqa i Fezës.
Komuna shqiptare me seli fillimisht në Siarinë e më vonë në Banjën e Siarinës kishte funksionuar për dekada me radhë, si formë e organizimit institucional të shqiptarëve të kësaj ane. Sipas të dhënave historike, ajo u aneksua dhe iu bashkua Komunës së Medvegjës, çka ndikoi në dobësimin e përfaqësimit dhe organizimit të shqiptarëve në këtë trevë.
Që nga viti 1878, pas zhvillimeve të mëdha historike në Sanxhakun e Nishit, struktura demografike e zonës kishte pësuar ndryshime të thella. Megjithatë, një numër vendbanimesh shqiptare arritën të mbeten dhe të ruajnë vazhdimësinë e tyre deri në ditët e sotme.
Rahim Abazi mbetet kështu figura e fundit që drejtoi komunën shqiptare të Bajës së Siarinës para se ajo të shkrihej si njësi administrative më vete.




