Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë homazhe te lapidari në vendin e rënies së Heroit të Kosovës, Enver Zymeri, në Varagë të Zubin Potokut, në 15-vjetorin e rënies së tij heroike.
I shoqëruar nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kurti tha se Enver Zymeri dhe policët e tjerë të rënë në detyrë duhet të jenë shembull për të gjithë zyrtarët shtetërorë.

“Është një obligim i yni, që t’i marrim këta si shembull të gjithë ne që jemi zyrtarë shtetërorë, për nga sakrifica edhe vetëmohimi. Sot gjendja këtu në veriun e Kosovës është krejtësisht ndryshe, pikërisht duke iu falënderuar Enver Zymerit, Afrim Bunjakut dhe të gjithë kolegëve të tyre, të cilët vendosën sundim të ligjit, paqe, siguri për të gjithë pa dallim”, tha Kurti.
Ai kujtoi se në të njëjtën ditë shënohen edhe 20 muaj nga sulmi ndaj kanalit Ibër-Lepenc, duke theksuar se për atë rast tashmë ka persona të arrestuar.
“Sot janë bërë 15 vjet prej rënies heroike të Enver Zymerit. Por njëkohësisht këtu do të shënojmë edhe 20-mujorin e hedhjes në erë të kanalit Ibër-Lepenc… Për këtë rastin e dytë, siç e dimë, tre veta janë në burg dhe ka një proces të drejtësisë kundër tyre”, u shpreh ai.
Kurti tha se drejtësia do të veprojë edhe ndaj urdhërdhënësve dhe autorëve të vrasjes së Enver Zymerit.
“Ndërkaq për urdhërdhënësit dhe dorën kriminale që e vrau heroin e Kosovës Enver Zymerin, natyrisht që herët a vonë drejtësia do të veprojë, sepse asnjë kriminel nuk do të lejohet që të mbijetojë i pandëshkuar. Prandaj edhe prokuroria, e gjyqësia jonë, e kanë mbështetjen tonë dhe e kanë detyrën e tyre”, deklaroi Kurti.
Gjatë ditës, Kurti bëri homazhe edhe te lapidari i policëve të rënë në detyrë në Prishtinë, si dhe vizitoi familjet e Heroit të Kosovës Enver Zymeri dhe Heroit të Kosovës Afrim Bunjaku, në kuadër të shënimit të Ditës Memoriale për Policët e Rënë në Detyrë./Telegrafi/





