Kryeministri i ri Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, ia ka kthyer letrën e urimit kryeministrit të Kosovës në detyrë Albin Kurtit.
Fillimisht Burham e falenderon Kurtin për urimin në rastin e zgjedhjes së tij kryeminsitër.

Ai vë në dukje në mënyrë kronologjike marrëdhënien e Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar, duke filluar me bombardimet e vitit 1999, përkrahjen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe angazhimin për misionin e KFOR-it.
“Faleminderit për letrën tuaj pas emërimit tim si Kryeministër. Jam mirënjohës për fjalët tuaja të mira dhe urimet e mira. Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova ndajnë një partneritet të ngushtë dhe të qëndrueshëm të farkëtuar përmes historisë sonë të përbashkët. Jam krenar që Mbretëria e Bashkuar qëndroi pranë popullit të Kosovës që nga fillimi i ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 dhe që ne ishim vendi i parë që njohu pavarësinë e Kosovës. Nuk ka provë më të qartë të angazhimit tonë sesa vendosja e vazhdueshme e forcave britanike në KFOR, për të ndihmuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”, thuhet në letër.
Me këtë rast, kryeministri i ri britanik ka shprehur mbështetjen e tij për aspiratat euroatlantike të Kosovës.
“Mbretëria e Bashkuar do të mbetet një mbështetëse e fortë e aspiratave euroatlantike të Kosovës dhe do të vazhdojmë të punojmë për të çuar përpara integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, duke përfshirë zgjerimin e mbështetjes për aplikimin e saj në Këshillin e Evropës dhe përparimin e vazhdueshëm përgjatë rrugës së saj drejt NATO-s”, thuhet në letër.
Më pas, Burnham ka thënë se shpreson që të formohet sa më shpejt qeveria e re, duke folur edhe për thellimin e raporteve në mes dy shteteve dhe mbështetjen e vazhdueshme britanike ndaj Kosovë.
“Shpresoj që një qeveri e re e Kosovës do të formohet shpejt në mënyrë që të mund të thellojmë bashkëpunimin midis dy vendeve tona mbi prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë mbrojtjen dhe sigurinë, tregtinë dhe investimet, trajtimin e migracionit të parregullt dhe forcimin e lidhjeve ekonomike. Si një mik i ngushtë i Kosovës, Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar fuqimisht ndaj sigurisë dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me Kosovën në mbështetje të një të ardhmeje më të qëndrueshme, të lidhur dhe të begatë për rajonin. Faleminderit përsëri për letrën tuaj, mezi pres të punoj ngushtë me ju për të forcuar më tej miqësinë dhe partneritetin midis dy vendeve tona”, thuhet në letër.





