Kriza te Man Utd, Carrick dhe Fernandes zhvillojnë takim urgjent

Sport

Trajneri i Manchester Unitedit, Michael Carrick, dhe kapiteni Bruno Fernandes kanë zhvilluar një takim privat për të sqaruar mosmarrëveshjet e fundit, në prag të përballjes së rëndësishme ndaj Chelseat në Ligën Premier. Marrëdhëniet mes dyshes ishin tensionuar pas kritikave që mesfushori portugez kishte drejtuar ndaj taktikave të trajnerit anglez, pas humbjes 4-1 kundër Comos në […]

Madhësia e shkronjave

Trajneri i Manchester Unitedit, Michael Carrick, dhe kapiteni Bruno Fernandes kanë zhvilluar një takim privat për të sqaruar mosmarrëveshjet e fundit, në prag të përballjes së rëndësishme ndaj Chelseat në Ligën Premier.

Marrëdhëniet mes dyshes ishin tensionuar pas kritikave që mesfushori portugez kishte drejtuar ndaj taktikave të trajnerit anglez, pas humbjes 4-1 kundër Comos në Ligën e Kampionëve.

Si pasojë, Fernandes mbeti në bankën rezervë gjatë gjithë ndeshjes së së dielës, kur Manchester United pësoi një tjetër humbje të rëndë, këtë herë 3-0 ndaj Bournemouthit.

Sipas BBC Sport, Carrick dhe Fernandes zhvilluan një bisedë private të martën në qendrën stërvitore të klubit, me synimin për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe për të rikthyer qetësinë brenda skuadrës.

Megjithatë, ende nuk dihet se kush e mori iniciativën për këtë takim, ndërsa ekziston mundësia që kapiteni portugez të rikthehet në formacionin titullar për ndeshjen e së shtunës kundër Chelseat në Stamford Bridge.

Ndërkohë, edhe e ardhmja e Carrick në krye të Manchester Unitedit mbetet një temë e diskutueshme. Pas humbjes ndaj Bournemouthit, shkarkimi i tij konsiderohej pothuajse i pashmangshëm, por drejtuesit vendosën t’i japin një tjetër mundësi.

Pavarësisht rezultateve zhgënjyese dhe pozitës së 16-të në tabelën e Ligës Premier, drejtuesit e klubit besojnë se 45-vjeçari meriton kohë për ta përmirësuar situatën në ‘Old Trafford’.

Një tjetër lajm pozitiv për trajnerin anglez është rikthimi i Kobbie Mainoo në stërvitje të mërkurën, pas dy javësh mungesë për shkak të lëndimit.

Përballja me Chelsean pritet të jetë një test vendimtar për Carrick, i cili synon të rikthejë rezultatet pozitive dhe të zbusë presionin e madh mbi të ardhmen e tij te Manchester Unitedi. /Telegrafi/

Komentet