Skuadra nga Superliga e Zvicrës, Zurichu kaloi një sezon jo të mirë në aspektin sportiv, pra edhe pse jemi mësuar t’i shohim duke luftuar për Evropë një gjë e tillë nuk ndodhi ngase deri në tre xhirot e fundit po luftonin për mbijetesë.
Kapiteni Lindrit Kamberi në një intervistë për Telegrafin ka deklaruar se forma jo e mirë e Zurichut erdhi si pasojë e ndryshimeve të mëdha, pra të trajnerëve, por është i lumtur që në fund e siguruan qëndrimin në elitë.
“Sezoni ka qenë shumë i vështirë, në fund objektivi nuk është arritur, pra për të hyrë në top gjashtë dhe të luajmë për Evropë. E kemi parë qysh herët, por prapë qëndrimi në Superligë ia dolëm tre xhirot e fundit. Ka qenë sezon i vështirë, duhet edhe të jemi krenar për këtë që ia dolëm pas tërë atyre ndryshimeve ta arrijmë maksimumin”.
Kamberi fillimisht nuk ishte në formacionin e parë, por pastaj me punë të madhe ai e rifitoi vendin e titullarit, si dhe shiritin e kapitenit.
“Personalisht ka pasur shumë eksperienca. Ka pasur shumë vështirësi, por prapë arrita të luftoj për t’u kthyer në formacionin e parë, por dy gola e një asistim nuk është keq duke llogaritur ndryshimin e trajnerëve, e dinë të gjithë futbollistët se secili ka idetë dhe duhet të adaptuar”.
Qendërmbrojtësi që luan edhe në pozitën e mbrojtësit të krahut të djathtë konfirmoi se nuk do të largohet nga Zurichu, përpos nëse vjen ndonjë ofertë tunduese.
“Trajneri i ri është Marcel Koller, është shumë i njohur në Zvicër, ka drejtuar edhe Austrinë që i ka kualifikuar për herë të parë në Kampionatin Evropian. Ka fituar shumë tituj në karrierë dhe kam shpresë e besim se kam me pasur sukses me të”.
“Sigurt e plotësojnë edhe kontratën time në vitin e ardhshëm sepse e dua ekipin, vendin, pra jam rritur këtu kështu që nëse nuk është diçka serioze nuk mendoj se largohem. Do të mendoj tri herë para se të konsideroj largimin”.
Te Zurichu përpos Lindritit, në ekipin e parë janë edhe Valon Berisha, Selmin Hoxha e Bledian Krasniqi, për të cilët kapiteni kishte vetëm fjalë pozitive.
“Në fillim ka qenë edhe Fidani (Aliti), Mirlindi (Kryeziu)… ka pasur shumë shqiptarë gjithmonë dhe do të vazhdojë sepse kemi shumë talentë. Kemi të rinj që janë në grupmoshat e reja. Në ekipin e parë tash jemi me Valonin, Selmini, Bledin… normal jemi gjithnjë bashkë, në drekë, kafe gjithkah”.
“Respekte edhe për Valonin (Berishën) çfarë ka arritur në karrierë dhe shpresoj që të arrijmë së bashku te Zurichu. Jam krenar që e kam një personazh si Valoni në skuadër”.
Kamberi muaj më parë deklaroi publikisht se dëshiron të luajë për Kosovën, megjithatë Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ende nuk e ka kontaktuar.
“Jo, nuk ka ndonjë të re nga kombëtarja (e Kosovës), sepse nuk kemi pasur kontakt”.
Përndryshe, 26-vjeçari ka zhvilluar 34 paraqitje këtë edicion për të kontribuar me dy gola e një asistim./Telegrafi/






