Komuna e Gjilanit ka njoftuar se në ShFMU “Selami Hallaçi” janë realizuar investime të vazhdueshme për përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe stafin, pas pamjeve të publikuara në rrjetin social “JOQ Kosova” lidhur me gjendjen e disa hapësirave dhe inventarit të kësaj shkolle.
Sipas Komunës, pamjet e publikuara paraqesin vetëm pjesë të caktuara të objektit dhe nuk pasqyrojnë gjendjen e përgjithshme të institucionit arsimor.

Komuna ka bërë të ditur se që nga viti 2023 në këtë shkollë janë realizuar një sërë investimesh, përfshirë renovimin e tërësishëm të nyjeve sanitare dhe banjove, renovimin e dhomave mësimore, krijimin e kabineteve për shkencat e natyrës, vendosjen e perdeve në klasa si dhe krijimin e një salle të përbashkët për stafin mësimor.
Po ashtu, sipas njoftimit, në shkollë janë siguruar pajisje dhe kaldajë e re, ndërsa është ndërruar tërësisht sistemi i ndriçimit. Komuna thotë se janë bërë edhe investime të tjera për përmirësimin e hapësirave dhe kushteve të mësimit.
Në kuadër të investimeve për këtë vit shkollor, Komuna ka njoftuar se gjatë ditës së sotme shkolla “Selami Hallaçi” është furnizuar me 142 banka dhe karrige individuale për nxënësit, të cilat do të vendosen në klasat e para dhe të nënta, në bazë të nevojave të evidentuara.
Institucioni lokal ka theksuar se mbetet i përkushtuar për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve në shkollë, duke i trajtuar me prioritet nevojat e nxënësve dhe stafit.
Në njoftim gjithashtu është bërë thirrje për ruajtjen e inventarit dhe pronës publike, duke theksuar se kjo është përgjegjësi e përbashkët e komunitetit shkollor. /Telegrafi/





