Ballina AKTUALE Komuna e Bujanocit nën presion nga paditë e pabazuara: Pajaziti paralajmëron masa...

Komuna e Bujanocit nën presion nga paditë e pabazuara: Pajaziti paralajmëron masa për mbrojtjen e interesit publik

94

Komuna e Bujanocit po përballet me një valë padish të inicuuara ndaj saj në lidhje me asfaltimin e disa rrugëve, një situatë që kryetari Arbër Pajaziti e cilëson si të nxitur dhe të manipuluar nga individë të caktuar dhe avokatë që synojnë përfitime personale në kurriz të buxhetit publik.Në një adresim të drejtpërdrejtë për qytetarët, Pajaziti sqaroi se paditë nuk i sjellin asnjë përfitim qytetarëve, ndërsa të gjitha shpenzimet gjyqësore mbulohen nga vetë Komuna.

Kjo, sipas tij, përbën një barrë të panevojshme financiare që bie mbi shpatullat e gjithë banorëve.

“Disa persona po i mashtrojnë qytetarët se mund të përfitojnë para. E vërteta është e thjeshtë: përfitojnë vetëm avokatët.

Nuk do të lejojmë dëmtimin e investimeve publike dhe buxhetit të komunës,” deklaroi Pajaziti, duke theksuar se çdo asfaltim është realizuar për të mirën e qytetarëve dhe shtimin e vlerës së pronave.Kryetari bëri të ditur se në rastet kur pronarët dorëzojnë ankesa zyrtare, Komuna është e gatshme të heqë asfaltin dhe të rikthejë gjendjen e mëparshme, për të shmangur gjyqe të kota që konsumojnë paratë e qytetarëve.

Reagime erdhën edhe nga figura të tjera publike. Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, e cilësoi situatën “dëshpëruese”, duke theksuar se paditë e tilla e dëmtojnë rëndë komunën dhe përpjekjet e saj për zhvillim. “Vendimi i Komunës për heqjen e asfaltit, nëse paditë nuk tërhiqen, është i drejtë dhe i domosdoshëm,” u shpreh ai, duke kërkuar unitet politik për mbrojtjen e interesit publik.

Nga ana tjetër, komentuesi Fehmi Maliqi theksoi nevojën për procedura të qarta ligjore dhe dokumentim të pëlqimeve për punimet në prona private. Ai shtoi se kjo situatë është pasojë e mungesës së përgjegjësisë shoqërore dhe rënies së standardeve morale.Pavarësisht sfidave, Komuna e Bujanocit i bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e manipulimeve dhe të kontaktojnë institucionet komunale për çdo paqartësi. Qëndrimi i saj mbetet i palëkundur: fondet publike duhet të mbrohen dhe investimet në infrastrukturë nuk duhet të përdoren për përfitime të padrejta individuale./BujanociNet/