Autoritetet shëndetësore sot rekomanduan dezinfektimin e gropave septike si masë individuale që banorët në zonat ku është shpallur epidemi e etheve të Nilit Perëndimor mund ta ndërmarrin. Aktualisht në vend nuk ka tableta për këtë qëllim, por ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, paralajmëroi se do të punohet që ato të bëhen të disponueshme edhe në Maqedoni.
„Një nga gjërat që mungon, që e identifikuam dhe nuk e kemi në vend, janë tabletat me bacile për dezinfektim të gropave septike. Kjo ekziston në Greqi, e identifikuam, nuk e kemi në Maqedoni dhe besoj se do të punojmë që të jenë të disponueshme për qytetarët si masë individuale mbrojtëse,“ tha ministri Klekovski.
Gropat septike janë përcaktuar si burim me rrezik të lartë për përhapjen e virusit, së bashku me ujërat e ndenjura dhe pjesët e vdekura të lumenjve. Si zona të rrezikshme u evidentuan kanalet e ujitjes në Fushën e Shkupit, gropat e mbushura me ujë, kanalet në Radishan, Butel, Idrizovë, Stajkovc, Singeliq, Gazi Babë, Ilinden, Draçevë, Batincë dhe Studeniçan.
Klekovski shtoi se rrezik paraqesin edhe varrezat (për shkak të ujit të ndenjur në vazo), si dhe deponitë e gomave të vjetra, të cilat janë vendstrehime ideale për mushkonjat. Përveç këtyre, rrezik paraqesin edhe elemente të vogla të përditshme si hidrantë të prishur, saksi me ujë të ndenjur, fuçi me ujë shiu etj.
Janë identifikuar gjithsej 34 zona të rrezikshme në Shkup, prej të cilave 13 janë me rrezik të lartë dhe kanë prioritet për spërkatje kundër mushkonjave. Disa prej tyre tashmë janë trajtuar, ndërsa spërkatja do të vazhdojë edhe në zonat me rrezik më të ulët.Ministri theksoi se preparatet që përdoren për spërkatje janë të sigurta dhe të verifikuara, sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Aktualisht janë konfirmuar 43 raste me ethet e Nilit Perëndimor, për herë të parë edhe në komunat Çair dhe Qendër, ku nuk është shpallur epidemi. Për këtë arsye po shqyrtohet zgjerimi i sistemit të informimit përmes SMS mesazheve për qytetarët mbi 60 vjeç, si masë mbrojtëse shtesë.






