Keratokonusi është një sëmundje e syrit që mund të shkaktojë ndryshime të konsiderueshme në shikim, veçanërisht te adoleshentët dhe të rinjtë.
Oftalmologia Rrona Gjini-Bytyqi, e ftuar në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, ka folur për simptomat, rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe mundësitë e trajtimit me metodën Corneal Cross-Linking (CXL).
– YouTube www.youtube.com
Sipas saj, keratokonusi është një sëmundje që prek kornenë, pjesën e tejdukshme në sipërfaqen e përparme të syrit, e cila ka rol të rëndësishëm në fokusimin e dritës.
“Keratokonusi është sëmundje pikërisht e kornesë. Ajo që ndodh është se kornea fillon të deformohet”, ka shpjeguar Gjini-Bytyqi.
Ajo ka theksuar se gjatë zhvillimit të sëmundjes, kornea hollohet gradualisht dhe fillon të marrë formë konike, duke e vështirësuar fokusimin e saktë të dritës.
Si rezultat, pacientët mund të përjetojnë shikim të turbullt, deformim të objekteve, ndryshime të shpeshta të dioptrisë dhe vështirësi gjatë vozitjes natën.
Oftalmologia ka bërë të ditur se keratokonusi zakonisht shfaqet në adoleshencë dhe në moshë të re, ndërsa simptomat mund të bëhen më të dukshme me kalimin e viteve.
Ajo ka theksuar se sëmundja duhet të zbulohet sa më herët, për të zvogëluar rrezikun e përkeqësimit të shikimit.
Sipas Gjini-Bytyqit, keratokonusi zakonisht nuk shkakton verbëri të plotë, por në format e avancuara mund të çojë në ulje të konsiderueshme të shikimit dhe të kufizojë mundësitë e korrigjimit të tij.
Foto: Ridvan Slivova
Për këtë arsye, pacientët që vërejnë ndryshime të pazakonta të shikimit duhet të kërkojnë vlerësim nga oftalmologu.
Gjatë podcastit, mjekja ka shpjeguar se një nga metodat që përdoren për të kontrolluar përparimin e keratokonusit është Corneal Cross-Linking (CXL).
Kjo procedurë synon forcimin e strukturës së kornesë, duke ndihmuar në ngadalësimin ose ndalimin e progresionit të sëmundjes.
“Cross-Linking fatkeqësisht nuk është metodë shëruese, sepse keratokonusi nuk shërohet”, ka theksuar ajo.
Sipas saj, procedura zakonisht realizohet me anestezi lokale dhe zgjat rreth 20 deri në 30 minuta.
Pas trajtimit, pacienti duhet të përdorë terapinë e përshkruar dhe të vazhdojë kontrollet e rregullta, në mënyrë që mjeku të vlerësojë rikuperimin dhe stabilitetin e kornesë.
Gjini-Bytyqi ka ndarë edhe një rast nga praktika e saj, ku një pacient kishte arritur në një fazë të avancuar të sëmundjes dhe ishte referuar jashtë Kosovës për transplant të kornesë.
Foto: Ridvan Slivova
Sipas saj, trajtimi në fazë më të hershme mund të kishte ndihmuar në shmangien e këtij përkeqësimi.
Mjekja ka theksuar se frika nga ndërhyrjet nuk duhet t’i pengojë pacientët të kërkojnë informim dhe trajtim në kohë.
Përveç keratokonusit, oftalmologia ka folur edhe për shëndetin e syve te fëmijët.
Ajo ka këshilluar që prindërit të mos neglizhojnë shenja si fërkimi i shpeshtë i syve, rrudhja e syve gjatë shikimit në largësi apo mbajtja e kokës në pozicione të pazakonta për të parë më qartë.
Gjini-Bytyqi ka theksuar se kontrollet parandaluese janë të rëndësishme edhe kur fëmijët nuk shfaqin ankesa të dukshme.
Podcastin e plotë me oftalmologen, Rrona Gjini-Bytyqin mund ta ndiqni në episodin 94 të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, me mbështetjen e United Hospital dhe Qendrës Laserike të Syrit Kubati./Telegrafi/