Nga MPB bëjnë të ditur se lidhur me videon e publikuar më 10.10.2026 në disa portale dhe media elektronike, në të cilën shihet se si një person drejton motoçikletë „Suzuki“, duke lëvizur në mënyrë të pasigurt mbi një rrotë në bul. „Aradhet Partizane “, pranë kryqëzimit me rrugën „29 Nëntori“ në disa raste, duke rrezikuar veten dhe pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion, nga ana e Njësisë për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor pranë SPB Shkup, në bashkëpunim me sistemin „Qyteti i Sigurt“, janë ndërmarrë masa dhe veprime, me ç’rast është konstatuar se bëhet fjalë për motoçikletë „Suzuki“ me targa të Shkupit, e cila më 03.10.2026 është drejtuar nga një person mashkull në bulevardin e përmendur.
“Fillimisht është zhvilluar bisedë me pronarin, e më pas me përdoruesin e motoçikletës, nga i cili është marrë informacioni se më 03.10.2026 motoçikletën e kishte përdorur A.A. (37) nga Shkupi”, thonë nga MPB.
Ata shtojnë se nga ana e nëpunësve policorë të Njësisë për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor është zhvilluar bisedë me A.A., i cili ka treguar se më 03.10.2026, pa poseduar patentë shoferi, kishte drejtuar motoçikletën „Suzuki“ në bulevardin „Aradhet Partizane “ dhe se kishte publikuar disa video në profilin e tij në rrjetin TikTok.
“Është njoftuar prokurori publik i Prokurorisë Themelore Publike Shkup, ndërsa kundër A.A. do të ngrihet kallëzim penal në bazë të nenit 297-a të Kodit Penal, për „drejtim të pakujdesshëm të automjetit motorik“, dhe nenit 298 të Kodit Penal, për „rrezikim të sigurisë së komunikacionit me veprim a mjet të rrezikshëm“”, thuhet në njoftimin e policisë./Telegrafi/






