Javë me shi e rënie të temperaturave

Nacionale

Kjo javë pritet të karakterizohet nga mot i ndryshueshëm, me alternime mes periudhave me diell dhe vranësirave. Sipas parashikimeve meteorologjike, reshje shiu me intensitet të dobët deri mesatar do të ketë kryesisht të martën, të mërkurën dhe vende-vende të premten, ndërsa në disa zona nuk përjashtohen edhe shkarkime elektrike. Temperaturat do të pësojnë rënie graduale […]

Madhësia e shkronjave

Kjo javë pritet të karakterizohet nga mot i ndryshueshëm, me alternime mes periudhave me diell dhe vranësirave.

Sipas parashikimeve meteorologjike, reshje shiu me intensitet të dobët deri mesatar do të ketë kryesisht të martën, të mërkurën dhe vende-vende të premten, ndërsa në disa zona nuk përjashtohen edhe shkarkime elektrike.

Temperaturat do të pësojnë rënie graduale gjatë mesjavës, sidomos ato minimale, të cilat në disa zona mund të zbresin deri në 3°C. Temperaturat maksimale gjatë javës do të lëvizin ndërmjet 15 dhe 23°C.

Në fillim të javës do të fryjnë erëra të lehta deri mesatare nga jugperëndimi, ndërsa nga mesi i javës pritet ndryshim i drejtimit të erës nga verilindja dhe veriperëndimi.

Kushtet agrometeorologjike në përgjithësi vlerësohen të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore, përfshirë perimet pranverore, drithërat dhe pemët.

Reshjet e herëpashershme do të ndihmojnë në ruajtjen e lagështisë së tokës, megjithatë temperaturat e ulëta në mëngjes mund të shkaktojnë stres te kulturat e ndjeshme në viset e ulëta dhe lugina.

Fermerëve u rekomandohet kujdes gjatë trajtimeve me preparate mbrojtëse, të cilat duhet të kryhen në periudha pa reshje dhe me erëra të dobëta.

Cilësia e ajrit gjatë javës së ardhshme pritet të mbetet kryesisht e mirë deri mesatare në pjesën më të madhe të vendit, si pasojë e qarkullimit të masave ajrore dhe erërave të lehta. Në zonat urbane mund të ketë rritje të lehtë të ndotjes gjatë orëve të mëngjesit dhe mbrëmjes, por pa ndikime të theksuara në shëndet.

Kurse sot, e hënë parashikohet mot kryesisht me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të jenë 7 deri në 11°C, ndërsa ato maksimale 19 deri në 23°C. Era do të fryjë nga jugperëndimi me shpejtësi 1–4 m/s. /Telegrafi/