Pas fitores së bujshme ndaj Thomas Narmos në Londër, Nelson Hysa ka sfiduar publikisht boksierin gjerman Agit Kabayel.
Menjëherë pas duelit, Hysa iu afrua Kabayelit pranë ringut, ku mes dy boksierëve pati një përplasje verbale. Situata u tensionua për disa momente dhe u desh ndërhyrja e sigurimit për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm.
Agit Kabayel është një nga emrat më të njohur të boksit në kategorinë e rëndë. Boksieri gjerman është kampion i përkohshëm i WBC-së dhe një prej pretendentëve kryesorë për titullin botëror, ndërsa karrierën e tij e ka ndërtuar pa humbje dhe me fitore të rëndësishme ndaj disa prej emrave të njohur të divizionit.

Kabayel, i befasuar nga veprimi i Hysës, deklaroi më pas se shqiptari po pretendonte se dëshironte të përballej me të. Hysa, ndërkohë, e bëri të qartë se qëllimi i tij ishte pikërisht një përballje me gjermanin.
“Shkova te Kabayel sepse ai vazhdon të më shmangë. Të gjithë po më shmangin. Jam 25-0 dhe duhet të luftoj për një titull,” tha Hysa.
Shqiptari shkoi edhe më tej, duke e ftuar Kabayelin që përballja të zhvillohet në Gjermani.
“Eja në Gjermani, jam gati. Është para e lehtë dhe një luftë e lehtë,” deklaroi Hysa, duke e bërë sfidën edhe më të drejtpërdrejtë.
41-vjeçari e mbylli mbrëmjen me një tjetër fitore, duke nokautuar Thomas Narmon në raundin e dytë dhe duke e çuar rekordin e tij në 25 fitore në 25 ndeshje.
Tani Hysa kërkon një emër më të madh për përballjen e radhës, ndërsa Agit Kabayel është një prej kundërshtarëve që shqiptari dëshiron ta ketë përballë në ring. /Telegrafi/





