Irlandezi dëshiron të tërhiqet nga kombëtarja pas një incidenti në ndeshjen me Izraelin

Sport

Ngjarjet e fundit në Lindjen e Mesme kanë prekur edhe botën e futbollit, ndërsa ndeshja mes Irlandës dhe Izraelit në Ligën e Kombeve u shoqërua me disa zhvillime të veçanta, si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Një prej futbollistëve që është gjendur në një situatë veçanërisht të ndjeshme është Finn Azaz, reprezentuesi i Irlandës dhe […]

Madhësia e shkronjave

Ngjarjet e fundit në Lindjen e Mesme kanë prekur edhe botën e futbollit, ndërsa ndeshja mes Irlandës dhe Izraelit në Ligën e Kombeve u shoqërua me disa zhvillime të veçanta, si brenda ashtu edhe jashtë fushës.

Një prej futbollistëve që është gjendur në një situatë veçanërisht të ndjeshme është Finn Azaz, reprezentuesi i Irlandës dhe futbollisti i Southamptonit.

Para sfidës ndaj Izraelit, futbollistët irlandezë vendosën të ndërmarrin disa veprime simbolike. Ata nuk u dhanë dorën lojtarëve izraelitë para ndeshjes, ndërsa gjatë intonimit të himneve qëndruan të kthyer nga toka.

Por një tjetër moment tërhoqi vëmendje pas golit të tretë të Irlandës. Jack Moylan hoqi shiritin e zi që mbante në krah dhe e puthi atë.

Futbollistët irlandezë i kishin mbajtur këto shirita në shenjë kujtimi për viktimat e konfliktit, ndërsa Federata Irlandeze kishte njoftuar më herët se një pjesë e shpërblimeve të tyre do të dhurohej për qëllime humanitare.

Çështja kishte ndikuar edhe në përbërjen e ekipit irlandez. Portieri Gavin Bazunu vendosi të mos luante në këtë ndeshje, duke përmendur arsye politike dhe morale që lidhen me situatën në Gaza.

Bazunu kishte theksuar se vendimi i tij bazohej në bindjen personale se “vrasja e njerëzve të pafajshëm është e gabuar”, duke sqaruar se qëndrimi i tij nuk ishte kundër popullit izraelit apo komunitetit hebre, por lidhej me atë që po ndodh në rajon.

Në një situatë edhe më të ndërlikuar është gjendur Finn Azaz.

Futbollisti i Southamptonit ka prejardhje izraelite nga ana e nënës. Nëna dhe gjyshja e tij janë izraelite, ndërsa Azaz ka treguar më herët se gjyshja e tij kishte shërbyer si gjenerale në ushtrinë izraelite.

Megjithatë, kur erdhi momenti për të zgjedhur kombëtaren që do ta përfaqësonte, Azaz vendosi të luante për Irlandën. Babai i tij është me prejardhje nga Corku dhe pikërisht kjo lidhje luajti rol në zgjedhjen e tij.

Para ndeshjes me Izraelin, Azaz mbajti një fjalim emocional para bashkëlojtarëve. Në dhomat e zhveshjes u diskutua edhe nëse ndeshja duhej të zhvillohej, të bojkotohej apo të shfrytëzohej në ndonjë mënyrë tjetër për të përcjellë një mesazh.

Në këtë situatë, Azaz u gjend mes dy lidhjeve të rëndësishme për të: prejardhjes së tij izraelite nga ana e nënës dhe gjyshes, si dhe Irlandës, vendin e së cilës ai kishte zgjedhur ta përfaqësonte në futbollin ndërkombëtar.

Tani, sipas raportimeve, Azaz po mendon të marrë një tjetër vendim të rëndësishëm – të largohet nga përfaqësuesja e Irlandës.

26-vjeçari deri tani ka regjistruar 15 paraqitje me fanellën e Irlandës dhe ka shënuar një gol, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ai do ta bëjë realisht këtë hap në periudhën e ardhshme.

Azaz nuk u aktivizua në ndeshjen e zhvilluar mbrëmë, ku Irlanda e mposhti Izraelin me rezultat bindës 3-0. /Telegrafi/