Instituti ATOMI ka organizuar për të dhjetin vit me radhë Garën Ndërkombëtare të Matematikës Kangaroo në Kosovë, e cila u mbajt më 28 mars 2026, me autorizimin e “Asociacionit Kangourou Sans Frontières (AKSF)”. Kjo garë konsiderohet si më e popullarizuara në botë në fushën e matematikës, duke u zhvilluar në mbi 70 shtete dhe duke mbledhur çdo vit më shumë se 6 milionë nxënës nga e gjithë bota.
Në edicionin e sivjetmë në Kosovë morën pjesë rreth 2 mijë nxënës të të gjitha niveleve të arsimit parauniversitar nga mbarë vendi. Përmes kësaj gare, Instituti ATOMI synon të identifikojë talentet e reja në matematikë dhe t’u ofrojë mbështetje të vazhdueshme përmes kurseve të avancuara dhe aktiviteteve të tjera zhvillimore.
Në kuadër të këtij misioni, Instituti ATOMI ka përzgjedhur 38 nxënësit më të suksesshëm të Garës Kangaroo 2026, të cilët u certifikuan gjatë një ceremonie solemne të organizuar sot.
Drejtoresha ekzekutive e Institutit ATOMI, Naime Hoxha, tha se ky vit shënon një jubile të rëndësishëm, pasi gara Kangaroo në Kosovë feston 10-vjetorin e organizimit.

“Sot është një ditë e veçantë, pasi gara Kangaroo e ka 10-vjetorin e themelimit. Kur filluam para dhjetë vitesh, synimi ishte i thjeshtë – të identifikonim nxënësit me talent të jashtëzakonshëm në matematikë dhe t’u krijonim mundësi për zhvillim dhe sukses. Sot, pas një dekade, kemi shumë histori suksesi që dëshmojnë se ky mision ka dhënë fryte”, tha Hoxha.
Ajo përmendi se shumë prej pjesëmarrësve të viteve të para tashmë kanë ndërtuar karriera të suksesshme, ku njëri prej tyre është koordinator i olimpiadave në nivel vendi, një tjetër ka diplomuar në MIT, një po vazhdon doktoraturën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa dy ish-pjesëmarrës janë bërë mësimdhënës të matematikës.
“Këto janë dëshmi se potenciali në Kosovë është i jashtëzakonshëm. Talenti është individual, por zhvillimi i tij është një përpjekje kolektive. Gëzojuni suksesit tuaj, ndihuni krenarë, por shiheni talentin si pikënisje dhe jo si destinacion”, u shpreh ajo.
Kryetarja e Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, Valdete Rexhëbeqaj Hamiti, uroi të gjithë pjesëmarrësit dhe fituesit e garës, duke theksuar se gjatë këtyre dhjetë viteve janë identifikuar shumë talente që vazhdojnë të përfaqësojnë me sukses Kosovën.
“Në emër të Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, mbetemi të përkushtuar në promovimin e matematikës dhe në mbështetjen e vazhdueshme të këtyre talenteve”, tha ajo.
Ndërkaq, përfaqësuesi i autorizuar për Garën Kangaroo në Kosovë, Valmir Krasniqi, theksoi se gara është organizuar me standarde të larta profesionale dhe organizative gjatë gjithë këtyre viteve.
Ai kujtoi rastin e një prej fituesve të parë, Shend Zhjeqi, i cili kishte arritur rezultatin maksimal prej 100 pikësh dhe që sot bashkëpunon me një nga matematikanët më të njohur në Shtetet e Bashkuara në fushën e gjeometrisë algjebrike.
“Kjo është dëshmi se motivimi i hershëm i fëmijëve me potencial të jashtëzakonshëm mund të shndërrohet në sukses të madh. Përballë sfidave të kohës, teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, është e rëndësishme që prindërit, mësimdhënësit dhe shoqëria të punojnë së bashku për t’i mbështetur këta të rinj dhe për ta shndërruar potencialin e tyre në vlerë për shoqërinë”, tha Krasniqi./Telegrafi/





