Institucionet zotohen për forcimin e mbështetjes për të mbijetuarit e dhunës seksuale

Nacionale

Reflektimi dhe angazhimi për të mbështetur të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Luftës, si një nga plagët më të heshtura të luftës në Kosovë, duhet të jetë obligim i vazhdueshëm institucional në Kosovë. Kjo ishte porosia kryesore që doli nga një tryeze të organizuar nga Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave […]

Madhësia e shkronjave

Reflektimi dhe angazhimi për të mbështetur të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Luftës, si një nga plagët më të heshtura të luftës në Kosovë, duhet të jetë obligim i vazhdueshëm institucional në Kosovë.

Kjo ishte porosia kryesore që doli nga një tryeze të organizuar nga Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës me rastin e shënimit të Ditës Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Luftës.

Kryeministri Albin Kurti, theksoi se institucionet e Republikës janë të përkushtuara të punojnë që kjo dhimbje të mos mbetet më në heshtje. Sipas tij, çdo i mbijetuar duhet të ketë respekt maksimal dinjitoz dhe qasje të garantuar në mbështetjen që ofron shteti.

“Për shumë vite, kjo dhimbje u fsheh për shkak të frikës, stigmatizimit dhe mungesës së hapësirës për të folur. Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës është themeluar për të siguruar që çdo i mbijetuar të ketë mundësi të dëgjohet me respektin që meriton. Çdo i mbijetuar duhet të ketë një derë ku mund të trokasë pa frikë, një proces që garanton konfidencialitet dhe një shtet që i dëgjon seriozisht”, deklaroi Kurti.

Kurti tha se deri tashti, Komisioni përkatës ka njohur dhe verifikuar 1925 raste të dhunës seksuale gjatë luftës, ndërsa shtoi se është edhe një numër i konsiderueshëm i të mbijetuarve që vazhdojnë të mos aplikojnë për shkak të stigmatizimit, raporton kp.

“Përgjegjësia jonë qëndron në vazhdimin e forcimit të përpjekjeve për të ofruar informim për personat që kanë të drejtë të aplikojnë. Duhet shtuar angazhimi dhe duhet punuar me qytetarët dhe partnerët që të mos mbetet askush i painformuar dhe i pambështetur.

Zëri i tyre është thelbësor në proceset tranzicionale që njohin vuajtjet e së kaluarës dhe inkurajojnë shpresë drejt së ardhmes. Tashmë kemi miratuar dhe po zbatojmë strategjinë për drejtësi tranzicionale. Po ashtu, po bëjmë dokumentimin e krimeve të kryera përmes institucionit të krijuar. Po i mbështesim të mbijetuarit për aplikim në Komisionin Qeveritar duke financuar katër organizata të autorizuara”, tha ai.

Nënkryetari i Kuvendi të Kosovës, Ardian Gola theksoi se mijëra qytetarë të Kosovës u përballën me këtë krim gjatë luftës, ndërsa për vite me radhë kjo plagë, sipas tij, u trajtua si çështje private, ndonëse ishte një tragjedi kolektive.

Ai vuri në dukje se pavarësisht përparimeve ligjore dhe institucionale ndër vite, drejtësia për viktimat mbetet e paplotë.

“Kosova nuk ka arritur gjithmonë aty ku duhet të ishte. Për vite me radhë kjo kategori mbeti jashtë mbrojtjes së drejtpërdrejtë ligjore. Në vitin 2014 u bë njohja e parë formale, në vitin 2017 u ngrit mekanizmi institucional për njohjen e statusit dhe në vitin 2018 nisi zbatimi konkret i kësaj të drejte. Do të ishte gabim që njohja, sado e rëndësishme, ta përmbyllë këtë rrugëtim – ajo nuk e përmbyll atë. Asnjë status juridik, asnjë mbështetje financiare, asnjë përkujtim shtetëror nuk e zëvendëson drejtësinë, për aq kohë sa autorët mbeten të lirë. Të vazhdojmë ta forcojmë mbështetjen institucionale për të mbijetuarit në kujdes shëndetësor, rehabilitim psikosocial dhe në aspektin juridik, dhe njëkohësisht të mos reshtim së kërkuari përgjegjësi për ata që kryen këto krime”, tha ai.

Ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës, Andin Hoti theksoi se heqja barrierave të paragjykimeve është kyçe për lehtësimin e vuajtjeve të viktimave dhe për avancimin e drejtësisë për to.

“Në Kosovë ka ende burra dhe gra që nuk kanë folur kurrë, të cilët mbajnë vuajtjet brenda – jo sepse nuk kanë çfarë të thonë, por sepse frika dhe stigma vazhdojnë të ekzistojnë. Një pjesë e vuajtjeve lehtësohet nëse ne ua heqim frikën dhe stigmatizimin. Ministria ka rol të drejtpërdrejtë në mbështetjen e të mbijetuarve, përmes procesit të pensionit dhe ofrimit të benefiteve që burojnë nga njohja e statusit të tyre. Përmes këtyre mekanizmave synojmë mbështetje të qëndrueshme dhe trajtim me dinjitet për secilin”, deklaroi Hoti.

Ai theksoi gjithashtu se dhuna seksuale gjatë luftës nuk ishte rastësi, por politikë e organizuar shtetërore nga Serbia.

“Për këtë, Serbia nuk ka dhënë asnjë llogari, nuk ka kërkuar falje dhe nuk i ka sjellë para drejtësisë përgjegjësit për këto krime. Kjo tregon qartë politikën e Beogradit edhe sot dhe mendësinë që vazhdon edhe pas 27 vitesh nga lufta”, tha ai.

Personi i parë që ka pranuar publikisht se ka qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës ishte Vasfije Krasniqi Godman.