Huthët godasin sërish rrokaqiellin më të lartë në Riad

Bota

Luftëtarët Huthë nga Jemeni kanë goditur të martën për herë të dytë brenda më pak se një jave rrokaqiellin më të lartë në kryeqytetin saudit, Riad, duke plagosur të paktën 11 persona. Mbrojtja Civile e Arabisë Saudite konfirmoi se ndërtesa në distriktin financiar të qytetit ishte shënjestruar në sulm. Ajo publikoi edhe fotografi që tregojnë […]

Madhësia e shkronjave

Luftëtarët Huthë nga Jemeni kanë goditur të martën për herë të dytë brenda më pak se një jave rrokaqiellin më të lartë në kryeqytetin saudit, Riad, duke plagosur të paktën 11 persona.

Mbrojtja Civile e Arabisë Saudite konfirmoi se ndërtesa në distriktin financiar të qytetit ishte shënjestruar në sulm. Ajo publikoi edhe fotografi që tregojnë dëmtime në fasadën e objektit, i cili strehon selinë e Fondit të Investimeve Publike të Arabisë Saudite (PIF).

Sipas autoriteteve saudite, në mesin e të plagosurve janë dy shtetas sauditë, dy indianë, tre nepalezë dhe katër egjiptianë.

Ndërtesa 80-katëshe ishte goditur edhe më 19 nëntor, kur sulmi shkaktoi dëme materiale në disa kate dhe në objektet përreth, por nuk pati persona të lënduar.

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili po lufton kundër Huthëve në Jemen, deklaroi se sulmi i fundit ishte kryer me dron dhe e cilësoi atë si sulm terrorist ndaj infrastrukturës civile.

Një burim i informuar për ngjarjen i tha agjencisë AFP se disa persona ndodheshin brenda ndërtesës duke riparuar dëmet nga sulmi i mëparshëm kur objekti u godit përsëri. Sipas këtij burimi, të paktën dy nga 11 të plagosurit ndodheshin në gjendje kritike për shkak të djegieve të rënda.

Huthët, të cilët kontrollojnë një pjesë të madhe të Jemenit, përfshirë kryeqytetin Sana, kanë intensifikuar sulmet ndaj Arabisë Saudite, duke shënjestruar aeroportet, infrastrukturën e naftës dhe ndërtesat e rëndësishme.

Më herët gjatë këtij muaji, një ndërtesë e kompanisë shtetërore të naftës Aramco në të njëjtin distrikt financiar ishte goditur gjithashtu.

Sulmet kanë shkaktuar ndërprerje të fluturimeve ndërkombëtare drejt Riadit dhe kanë detyruar autoritetet saudite të shtyjnë ose anulojnë disa ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare.

Ndërkohë, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite ka vazhduar sulmet ajrore ndaj pozicioneve të Huthëve në Jemen, duke rritur shqetësimet për përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit. /Telegrafi/