Haziri paralajmëron garën e brendshme në LDK: 2027-a, vit vendimtar për partinë

Nacionale

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se viti 2027 do të jetë vit i zgjedhjeve të brendshme në këtë parti, duke theksuar rëndësinë e demokracisë, garës së drejtë dhe kontributit të anëtarëve. Përmes një postimi në Facebook, Haziri ka thënë se LDK-ja duhet të mbetet parti e vlerave demokratike dhe […]

Madhësia e shkronjave

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se viti 2027 do të jetë vit i zgjedhjeve të brendshme në këtë parti, duke theksuar rëndësinë e demokracisë, garës së drejtë dhe kontributit të anëtarëve.

Përmes një postimi në Facebook, Haziri ka thënë se LDK-ja duhet të mbetet parti e vlerave demokratike dhe të jetë mirënjohëse ndaj të gjithë atyre që kontribuuan në ndërtimin e saj gjatë 37 vjetëve.

“Viti 2027 është vit i zgjedhjeve të brendshme me të gjitha vlerat të cilat i sublimon LDK”, ka shkruar Haziri.

Ai ka theksuar se gara për pozitat drejtuese nuk duhet të paraprihet nga debate se kush është kandidati më i mirë, pa u hapur zyrtarisht procesi zgjedhor dhe pa u përcaktuar kalendari në të gjitha nivelet.

“Secili që mundet, përmes shembullit personal të suksesit, kontributit e meritës, duhet të garantojë rikthimin e madh të LDK-së. Ai apo ajo le të ftohet nga votuesit për besim në garë”, ka deklaruar Haziri.

Në postimin e tij, ai ka folur edhe për synimin e rikthimit të besimit të qytetarëve dhe bashkimit të shqiptarëve, duke vënë në pah rëndësinë e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

“Koha për mirëbesim, bashkëpunim e marrëveshje të madhe, që gara e ardhshme zgjedhore t’i bashkojë të gjithë qytetarët në shpresë e besë për LDK-në dhe shqiptarët”, ka përfunduar Haziri. /Telegrafi/

Komentet