Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, raportohet se ka më shumë gjasa të largohet nga klubi këtë verë, pas një dekade në krye të ekipit.
Ish-trajneri i Barcelonës dhe Bayern Munichut ka edhe një vit të mbetur në kontratë, por gjatë gjithë sezonit është përfolur vazhdimisht për të ardhmen e tij.
Edhe sezonin e kaluar pati shumë diskutime se ai mund ta kishte vitin e fundit në “Etihad”, por pas fitimit sërish të Premier League ai nënshkroi një rinovim dyvjeçar. Me pesë ndeshje të mbetura, City e ka në dorë ta fitojë edhe këtë herë titullin, me Arsenalin që gjithashtu është në garë për të dalë kampion.
Pavarësisht kontratës, RadioMarca raporton se ekziston një “mundësi e lartë” që Guardiola t’i japë fund aventurës së tij te Manchester City këtë verë, pas përfundimit të sezonit.
Kjo është diçka për të cilën City është i vetëdijshëm dhe, për këtë arsye, ka bërë përgatitje në rast se largimi bëhet realitet.
Ish-trajneri i Chelseat dhe ish-asistenti i Guardiolës, Enzo Maresca, thuhet se është paracaktuar si pasues i mundshëm, ndërsa dhoma e zhveshjes te Manchester City është e informuar se kjo është një mundësi reale.
Guardiola është përmendur gjithashtu si një opsion potencial për të marrë drejtimin e kombëtares së Italisë këtë verë, por ende nuk është e qartë se cili do të ishte destinacioni i tij i radhës. Ai mund të zgjedhë edhe një pushim nga futbolli, duke pasur parasysh se ka qenë trajner çdo vit, përveç një që nga viti 2008.
Ndërkohë, Matteo Moretto shpjegon se kapiteni i Cityt, Rodri Hernandez, është një tjetër largim i mundshëm.
Ai ende nuk e ka marrë vendimin për të ardhmen e tij, por është i hapur ndaj idesë për t’u kthyer në Madrid, vendlindjen e tij./Telegrafi/






