Aston Villa ka fituar garën për transferimin e mesfushorit zviceran Johan Manzambi, duke ia rrëmbyer Newcastle United në momentet e fundit, pavarësisht se “Magpies” konsideroheshin favoritë për nënshkrimin e tij.
Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, Villa ka arritur marrëveshje të plotë si me lojtarin 20-vjeçar, ashtu edhe me Freiburgun, duke mbyllur një transferim që raportohet se kap vlerën e 70 milionë eurove.
Lëvizja e Aston Villas vjen pas dëmtimit të rëndë të Amadou Onana, i cili ka këputur ligamentin e kryqëzuar dhe do të mungojë për një periudhë të gjatë, duke e shtyrë klubin anglez të reagojë menjëherë në treg.
Sipas raportimeve të Sky, Manzambi pritet të firmosë një kontratë afatgjatë me Aston Villan, ndërsa të gjitha detajet e marrëveshjes tashmë janë finalizuar.
Vetëm pak ditë më parë, mediat angleze raportuan se Manzambi kishte arritur marrëveshje verbale me Newcastle United. Madje, klubi nga “St James’ Park” thuhej se kishte rënë dakord edhe me Freiburgun për një dëmshpërblim prej mbi 60 milionë eurosh.
Megjithatë, në një kthesë të papritur të ngjarjeve, Aston Villa ndërhyri në momentet e fundit me një ofertë më të mirë dhe siguroi shërbimet e njërit prej talenteve më premtues zviceranë, duke lënë Newcastle-in pa objektivin e tij kryesor në mesfushë. /Telegrafi/






