Gjykata Supreme e Spanjës i dha amnisti të hënën ish-presidentit katalanas Carles Puigdemont, duke mbyllur çështjen penale lidhur me përpjekjen e tij të dështuar për pavarësi në vitin 2017.
Vendimi përfshin gjithashtu ish-ministrat katalanas Toni Comin dhe Lluis Puig, duke i dhënë fund procedimeve kundër të treve për pretendime mbi keqpërdorimin e fondeve publike gjatë lëvizjes për pavarësi.
Ky vendim vjen pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila kërkoi që amnistia të mbulonte këto vepra.
Urdhër-arrestet ndaj tyre ishin hequr tashmë në muajin tetor.
Puigdemont reagoi duke shpërndarë një poezi katalanase drejtuar “armiqve të tij të dashur”, duke mirëpritur shtimin e numrit të tyre dhe duke i falënderuar që mbështesin qëndresën e tij.
Poezia mbyllet me një fyerje vulgare.
Jordi Turull, sekretari i përgjithshëm i partisë pro-pavarësisë “Junts” – të cilës i përket Puigdemont – e përshkroi amnistinë si një fitore ndaj shtetit spanjoll, pavarësisht nëse ai qeveriset nga Partia Popullore (PP) e qendrës së djathtë apo nga socialistët.
Turull deklaroi se Puigdemont pritet të kthehet pas zgjedhjeve të së dielës.
Ish-udhëheqësi katalanas pritet të shpalosë planet e tij në një konferencë për shtyp në Bruksel, të mërkurën. /Telegrafi/






