Gjermania, Italia dhe katër vende të tjera të Bashkimit Evropian po shtojnë presionin për vendosjen e një takse në nivel evropian mbi fitimet e jashtëzakonshme të kompanive të naftës, në një kohë kur lufta në Lindjen e Mesme ka shkaktuar tronditje të mëdha në tregjet energjetike.
Ministrat e Financave të Gjermanisë, Italisë, Austrisë, Polonisë dhe Portugalisë, së bashku me ministrin e Ekonomisë së Spanjës, i kanë dërguar një letër ministrit irlandez të Financave, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE-së.
Në letër kërkohet që vendosja e një takse mbi fitimet e jashtëzakonshme të kompanive energjetike të përfshihet në agjendën e takimit të ardhshëm të ministrave të Financave të BE-së, që pritet të zhvillohet në Dublin muajin e ardhshëm, transmeton Telegrafi.
Sipas ministrave, kompanitë e naftës po përfitojnë nga rritja e marzheve të fitimit në produktet e rafinuara, ndërsa çmimet e naftës së papërpunuar janë rritur ndjeshëm për shkak të tronditjeve të furnizimit.
“Kompanitë e naftës po gëzojnë nivele të larta fitimi dhe marzhe në produktet e rafinuara që tejkalojnë rritjen e çmimeve të naftës së papërpunuar”, thuhet në letrën e përbashkët.
Ministrat paralajmërojnë gjithashtu se bota po përballet me një prej goditjeve më të mëdha të furnizimit në dekada, ndërsa rritja e kostos së jetesës po shkakton pakënaqësi të madhe te qytetarët.
Vendet nënshkruese kërkojnë që BE-ja të krijojë një kuadër të përbashkët për taksimin e fitimeve të jashtëzakonshme, duke marrë si shembull masat e përkohshme të miratuara në vitin 2022, pas pushtimit rus të Ukrainës.
Ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, ka argumentuar vazhdimisht se kompanitë energjetike nuk duhet të përfitojnë në mënyrë të tepruar nga krizat duke rënduar konsumatorët.
“Fitimet e tepërta të krijuara nga kriza duhet t’u kthehen konsumatorëve”, ka deklaruar një burim pranë ministrisë gjermane.
Thirrjet për një taksë të re vijnë pasi kompanitë e mëdha të energjisë kanë raportuar fitime të konsiderueshme gjatë periudhës së tensioneve të rritura në Lindjen e Mesme. Operacionet ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit dhe ndërprerjet e transportit në Ngushticën e Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme globale për transportin e energjisë, kanë shtuar pasigurinë në tregje.
Megjithatë, BE-ja ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për vendosjen e një takse të re ndaj kompanive të naftës, ndërsa brenda vendeve anëtare ka edhe kundërshtime të forta politike.
Në Gjermani, për shembull, SPD-ja e qendrës së majtë e mbështet idenë e taksës mbi fitimet e jashtëzakonshme, ndërsa CDU-ja e qendrës së djathtë, e udhëhequr nga kancelari Friedrich Merz, është kundër saj.
Debati pritet të intensifikohet në javët e ardhshme, veçanërisht nëse çmimet e energjisë dhe fitimet e kompanive të naftës vazhdojnë të mbeten në nivele të larta. /Telegrafi/






