Kupa e re e Botës FIFA U15 nis të enjten në Baku të Azerbajxhanit, me 189 ekipe kombëtare të të rinjve nga e gjithë bota. Përveç rikthimit të Rusisë në një turne global të futbollit, vëmendje të veçantë marrin përballjet e mundshme mes vendeve me konflikte politike, përfshirë Kosovën dhe Serbinë.
Sipas mediumit gjerman “Sportschau”, turneu organizohet për herë të parë në këtë format dhe do të zgjasë nëntë ditë, me afro 1.000 ndeshje të planifikuara në 20 fusha. Ekipet do të garojnë fillimisht në 32 grupe, ndërsa rezultatet do të përcaktojnë ndarjen e tyre në gjashtë nivele të fazës së dytë, ku secili do të ketë fituesin e vet.
Pjesëmarrja e Rusisë është një nga temat më të diskutuara, pasi bëhet fjalë për turneun e parë global të futbollit ku ajo merr pjesë që nga nisja e luftës kundër Ukrainës. Federata Ukrainase e Futbollit i ka thënë “Sportschau” se ishte tërhequr nga turneu për arsye sportive përpara se të mësonte për pjesëmarrjen e Rusisë. Sipas saj, pas informimit të federatave të tjera, disa shtete vendosën të mos merrnin pjesë, ndërsa të tjera shprehën gatishmërinë për të garuar, por jo për t’u përballur me Rusinë.
Edhe Federata Gjermane e Futbollit (DFB) nuk do të dërgojë ekip në këtë turne. Për “Sportschau”, ajo ka përmendur arsye që lidhen me zhvillimin e futbollistëve të rinj, duke argumentuar se talentet nuk duhet të ekspozohen shumë herët ndaj presionit për rezultate, vlerësimit publik dhe interesimit të agjentëve.
Vëmendja te Kosova dhe Serbia
Përtej aspektit sportiv, një nga temat më të ndjeshme të turneut është mundësia e përballjeve mes vendeve që kanë raporte të tensionuara politike. Sipas “Sportschau”, rregulloret e plota të garës nuk janë publikuar, ndërsa FIFA ka bërë të ditur se ndeshjet e fazës pas grupeve do të përcaktohen në bazë të rezultateve të fazës së parë, pa kufizime të veçanta për kundërshtarët.
Kjo hap mundësinë teorike që Kosova të përballet me Serbinë, dy përfaqësuese që nuk lejohen të luajnë kundër njëra-tjetrës në garat e UEFA-s. Një duel i tillë do të kishte ndjeshmëri të veçantë politike dhe sportive, por deri më tani nuk është caktuar asnjë përballje mes tyre, transmeton Telegrafi.
Sipas mediumit gjerman, skenarë të ngjashëm mund të paraqiten edhe mes Izraelit dhe Palestinës, Iranit dhe Izraelit, si dhe Spanjës dhe Gjibraltarit. Këto janë përballje të mundshme teorikisht, varësisht nga rezultatet dhe rrugëtimi i ekipeve në turne.
FIFA: Futbolli bashkon botën
Drejtori i zhvillimit global të futbollit në FIFA, Arsene Wenger, e ka përshkruar turneun si një mundësi për të bashkuar të rinjtë nga e gjithë bota.
“Kjo është bukuria e këtij turneu. Ishte një ëndërr të kishim të gjithë nga e gjithë bota së bashku. Në FIFA, ne gjithmonë themi se futbolli bashkon botën”, deklaroi Wenger në një video të publikuar nga organizata botërore e futbollit.
Edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka mbrojtur idenë e përfshirjes së sa më shumë vendeve në garat ndërkombëtare.
Në lidhje me Rusinë, ai kishte deklaruar në shkurt: “Sa më shpejt që të gjithë të përfshihen në një Kupë Bote, aq më mirë”.
Turneu zhvillohet në Baku, kryeqytetin e Azerbajxhanit, një vend që prej vitesh ka raporte të tensionuara me Armeninë. Sipas “Sportschau”, organizatat për të drejtat e njeriut kanë kritikuar vazhdimisht autoritetet azerbajxhanase për përdorimin e ngjarjeve të mëdha sportive për të rritur profilin ndërkombëtar të vendit.
Kështu, përveç synimit për t’u dhënë futbollistëve të rinj përvojë ndërkombëtare, Kupa e Botës U15 pritet të tërheqë vëmendje edhe për shkak të përballjeve të mundshme mes vendeve me histori konfliktesh. Për Kosovën, një ndeshje ndaj Serbisë do të ishte pa dyshim një nga skenarët më të ndjeshëm të kësaj gare. /Telegrafi/
