Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se ka urdhëruar shërbimet e inteligjencës dhe forcat e armatosura ukrainase të ndërmarrin veprime parandaluese kundër objekteve që, sipas tij, Rusia po i përdor për të zgjeruar operacionet ushtarake.
Në një deklaratë publike, ai tha se udhëheqja ruse po përqendron një numër të madh sistemesh të mbrojtjes ajrore në Moskë, Valdai dhe pranë urës mbi Ngushticën e Kerçit, duke dobësuar mbrojtjen në rajone të tjera të vendit.
Sipas tij, vetëm në rajonin e Moskës janë grumbulluar qindra lëshues të sistemeve S-400, S-500 dhe Pantsir.
Lideri ukrainas pretendoi gjithashtu se Rusia ka zhvendosur afro 90 lëshues të mbrojtjes ajrore në Valdai dhe po krijon një divizion të posaçëm për mbrojtjen e udhëheqjes shtetërore.
“Këto janë prioritetet e tyre. Ata po mbrojnë pushtetin e tyre dhe burimin e kësaj lufte”, deklaroi Zelensky.
Ai tha gjithashtu se më shumë se 60 rajone ruse po përballen me mungesa të karburantit, ndërsa çmimet e benzinës dhe naftës kanë shënuar rritje të ndjeshme.
Në të njëjtën deklaratë, ai pretendoi se shërbimet ruse të sigurisë po shqyrtojnë mundësinë e shtyrjes ose anulimit të procesit të përzgjedhjes së kandidatëve të partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar, për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Zelensky shtoi se, sipas të dhënave të inteligjencës ukrainase, autoritetet ruse janë të pasigurta për zhvillimet që mund të ndodhin deri në shtator, kur janë planifikuar procedurat zgjedhore për Dumën Shtetërore.
Ndryshe, Ukraina tashmë po sulmon edhe objektiva thellë brenda Rusisë. /Telegrafi/






