Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka komentuar humbjen në finalen e ‘play-off’-it ndaj Turqisë, duke pranuar se rezultati nuk ishte i lehtë për skuadrën, por duke kërkuar që ekipi të fokusohet te sfidat e ardhshme.
Trajneri gjerman theksoi se ndeshjet miqësore do të kenë rol të rëndësishëm në përgatitjen e ekipit për garat zyrtare, sidomos për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Ai bëri të ditur se objektivi afatshkurtër i Kosovës është qëndrimi në Ligën B, ndërsa në planin afatgjatë synohet ngritja në Ligën A.
Foda shtoi se synimi më i madh i Kombëtares së Kosovës mbetet kualifikimi në Kampionatin Evropian 2028, duke premtuar punë dhe përkushtim maksimal nga skuadra për arritjen e objektivave të vendosura.
“Sigurisht që nuk ka qenë e lehtë humbja në finale kundër Turqisë, por do të shikojmë përpara dhe të përqendrohemi në të ardhmen. Ndeshjet miqësore do të na shërbejnë si përgatitje për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Qëllimi afatshkurtër është të qëndrojmë në Ligën B, ndërsa qëllimi afatgjatë është të kalojmë në Ligën A”, ka thënë fillimisht Foda në konferencë për shtyp.
“Gjithsesi qëllimi kryesor mbetet kualifikimi në Kampionatin Evropian. Do të punojmë shumë në vazhdim për t’i arritur objektivat tona”, përfundoi trajneri gjerman i Dardanëve.
Ndryshe, Dardanët do të luajnë më 31 maj ndaj Çekisë në udhëtim, derisa një javë më vonë presin Andorrën në ‘Fadil Vokrri’. /Telegrafi/






