Formati i ri i Kupës së Botës solli histori të mëdha, por pak rrezik për favoritët

Sport

Kupa e Botës 2026 debutoi me formatin e ri me 48 kombëtare, duke sjellë më shumë ekipe, histori të reja dhe emocione. Megjithatë, pas përfundimit të fazës së grupeve, mbetet pyetja nëse ky ndryshim e ka bërë turneun më konkurrues. Një nga historitë më të bukura ishte ajo e Kepit të Gjelbër, që arriti një […]

Madhësia e shkronjave

Kupa e Botës 2026 debutoi me formatin e ri me 48 kombëtare, duke sjellë më shumë ekipe, histori të reja dhe emocione.

Megjithatë, pas përfundimit të fazës së grupeve, mbetet pyetja nëse ky ndryshim e ka bërë turneun më konkurrues.

Një nga historitë më të bukura ishte ajo e Kepit të Gjelbër, që arriti një kualifikim historik në mesin e 32 skuadrave më të mira, duke eliminuar Uruguain nga faza e grupeve. Ky sukses u konsiderua si një nga përfitimet më të mëdha të zgjerimit të Botërorit në 48 ekipe.

Edhe Kurasao shkroi historinë duke u bërë shteti më i vogël që ka marrë pjesë ndonjëherë në Kupën e Botës. Edhe pse nuk arriti të kualifikohej, fitoi një pikë të vlefshme ndaj Ekuadorit.

Po ashtu, barazimi i Kongos me Portugalinë i siguroi kombëtares afrikane një vend në fazën me eliminim direkt, duke shtuar një tjetër histori suksesi në këtë Botëror.

Pavarësisht këtyre rrëfimeve, përfaqësueset më të mëdha nuk u vunë pothuajse fare në rrezik. Kjo ndodhi për shkak të formatit që lejon kualifikimin edhe të skuadrave të renditura në vendin e tretë, si dhe kriterit të FIFA-s që i jep përparësi rezultateve në ndeshjet direkte kur ekipet kanë pikë të barabarta.

Si rezultat, katër kombëtare fituan grupet një ndeshje para fundit, ndërsa pesë skuadra u eliminuan para xhiros së tretë, duke ulur ndjeshëm emocionet në fund të fazës së grupeve.

Nga 12 skuadrat favorite, vetëm Portugali nuk arritën ta mbyllnin grupin në vendin e parë. Ndërkohë, tetë nga 12 skuadrat që përfunduan në vendin e tretë siguruan gjithashtu kualifikimin, duke minimizuar rrezikun për ekipet e mëdha.

Faza e grupeve ishte edhe një skenë për emrat më të mëdhenj të futbollit botëror. Lionel Messi, Kylian Mbappé, Erling Haaland, Cristiano Ronaldo dhe Harry Kane shënuan gola, duke konfirmuar rolin e tyre si protagonistë të turneut.

Megjithatë, Kupa e Botës nuk ndërtohet vetëm mbi yjet. Pikërisht në fazën e grupeve marrin jetë historitë e skuadrave më të vogla dhe futbollit nga kontinente të ndryshme.

Edhe këtë edicion, përfaqësueset evropiane dhe ato të Amerikës së Jugut vazhduan dominimin në turne. Befasia më e madhe ishte eliminimi i Uruguait, ndërsa ekipet aziatike u konsideruan zhgënjimi më i madh i fazës së grupeve.

Përzgjedhësi i Ganës, Carlos Queiroz, skuadra e të cilit avancoi si e treta, e kritikoi formatin e ri, duke e cilësuar atë si “vulgar dhe të zakonshëm”.

Sipas tij, gara për vendin e tretë nuk ishte plotësisht e drejtë, pasi skuadrat që luanin më vonë kishin avantazhin e njohjes së rezultateve të rivalëve.

Edhe BBC vlerëson se faza e grupeve këtë vit u ndje më shumë si një hyrje drejt turneut të vërtetë, ndërsa emocionet reale të Kupës së Botës nisën vetëm me fazën e eliminimit direkt. /Telegrafi/