Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka vlerësuar progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian, duke veçuar Shqipërinë për hapat e fundit të ndërmarrë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Gjatë fjalës së saj në Parlamentin Evropian, Kos tha se Shqipëria ka përmbushur standardet e përkohshme për sundimin e ligjit (IBAR), një zhvillim që i hap rrugën nisjes së procesit për mbylljen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian.
“Shqipëria ka bërë së fundmi një hap të rëndësishëm përpara, duke përmbushur standardet e përkohshme për sundimin e ligjit (IBAR), çka i mundëson vendit të nisë mbylljen e kapitujve. Megjithatë, mbetet ende shumë punë për t’u bërë”, deklaroi Kos.

Ajo theksoi se Bashkimi Evropian dëshiron të shohë progres të ngjashëm edhe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se aktualisht ekziston një mundësi reale për të avancuar drejt anëtarësimit.
Sipas saj, liderët e rajonit kanë riafirmuar angazhimin për integrimin evropian gjatë Samitit BE–Ballkani Perëndimor të mbajtur në Tivat të Malit të Zi.
Komisionerja evropiane u ndal edhe te progresi i Malit të Zi, duke kujtuar se vendi ka mbyllur përkohësisht edhe dy kapituj të tjerë negociues, ndërsa Këshilli i BE-së ka nisur hartimin e traktatit të anëtarësimit, një proces që nuk ishte parë që nga negociatat e Kroacisë për anëtarësim.
Kos ritheksoi se procesi i zgjerimit mbetet i bazuar në meritë dhe se Komisioni Evropian është i gatshëm të mbështesë çdo vend që përmbush reformat e kërkuara dhe harmonizon politikat e tij me ato të Bashkimit Evropian.
“Komisioni Evropian është i gatshëm të ecë përpara me të gjitha këto vende, nëse ato përmbushin angazhimet e tyre për reforma dhe tregojnë përafrim të mjaftueshëm me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si edhe me politikën e vizave”, tha ajo.
Në fund, Kos theksoi se edhe Bashkimi Evropian duhet të mbajë premtimet ndaj vendeve kandidate, duke nënvizuar se dhënia e statusit kandidat përbën një angazhim të ndërsjellë mes BE-së dhe vendeve aspirante për anëtarësim./Telegrafi.





