Fitorja e parë pas plot 14 viteve në “Anfield”, si rrallë herë Arteta s’ka ankesa: E shkëlqyeshme çfarë bëri skuadra

Sport

Mikel Arteta nuk e ka fshehur kënaqësinë pas fitores së Arsenalit ndaj Liverpoolit me rezultat 1-0, në ndeshjen e vlefshme për sezonin 2026/27 të Ligës Premier. Kjo fitore kishte një rëndësi të veçantë për londinezët, pasi i dha fund një serie prej 14 vitesh pa fitore në stadiumin e Liverpoolit në kampionat. Pas ndeshjes, trajneri […]

Madhësia e shkronjave

Mikel Arteta nuk e ka fshehur kënaqësinë pas fitores së Arsenalit ndaj Liverpoolit me rezultat 1-0, në ndeshjen e vlefshme për sezonin 2026/27 të Ligës Premier.

Kjo fitore kishte një rëndësi të veçantë për londinezët, pasi i dha fund një serie prej 14 vitesh pa fitore në stadiumin e Liverpoolit në kampionat.

Pas ndeshjes, trajneri spanjoll theksoi se ky sukses ishte i veçantë për të gjithë njerëzit që janë pjesë e Arsenalit.

“Kjo ishte veçanërisht për të gjithë ata që janë të lidhur me këtë klub futbolli. 14 vite pa fituar këtu janë një kohë shumë e gjatë”.

Trajneri i Arsenalit u ndal edhe te eliminimi i papritur nga Fleetwood Town në Kupën EFL, duke thënë se ai rezultat mund t’i ketë dhënë skuadrës edhe më shumë motivim për t’u rikthyer.

“Pas ditëve të fundit dhe humbjes ndaj Fleetwoodit, i thamë njëri-tjetrit se gjërat ndodhin për një arsye dhe se kjo do të na japë edhe më shumë energji, uri, motivim dhe besim për të ardhur këtu dhe për ta arritur këtë. Ajo që bëri skuadra sot është e pabesueshme”.

Arteta vlerësoi edhe paraqitjen e futbollistëve të tij, duke theksuar se Arsenali krijoi gjashtë apo shtatë raste të mira shënimi, pavarësisht vështirësive që shkaktoi loja sulmuese e Liverpoolit.

“Pati momente kur loja jonë ishte shumë fluide dhe krijuam gjashtë apo shtatë raste. Por ndeshja bëhet shumë kaotike kur gabojmë në pasime ose në largimin e topit, sepse këta lojtarë vijnë menjëherë drejt teje. Aftësia e tyre për të krijuar sulme të shpejta vertikale është e jashtëzakonshme. Megjithatë, mënyra se si skuadra e përballoi këtë lloj loje ishte e pabesueshme për mua”.

Ai gjithashtu vlerësoi formën e kundërshtarit, por insistoi se Arsenali e meritoi plotësisht fitoren në këtë përballje.

“Ata janë në një moment shumë të mirë. Mendoj se fitorja ishte plotësisht e merituar. Të vish këtu dhe të fitosh në këtë mënyrë është diçka e madhe. Lojtarët meritojnë shumë respekt dhe përgëzime”, përfundoi Arteta.

Me këtë triumf, Arsenali është rikthyer në krye të tabelës së Ligës Premier për sezonin 2026/27, duke krijuar tri pikë epërsi ndaj Manchester Cityt, që renditet në pozitën e dytë./Telegrafi/

Komentet