Një nga emrat më të rinj dhe më të zhurmshëm të skenës së popit turk po përgatitet të sjellë për herë të parë në Kosovë një shfaqje që premton të jetë ndër më energjiket e verës në Sunny Hill Festival.
Me një ngritje të shpejtë nga një talent show televiziv drejt majave të listave muzikore dhe rrjeteve sociale, ky grup vajzash është kthyer në një fenomen që po e tejkalon gjithnjë e më shumë kufirin e Turqisë.
Në një kohë shumë të shkurtër, ato kanë ndërtuar një identitet të fortë artistik, të bazuar në performanca dinamike, stil modern dhe një kombinim të kujdesshëm të popit me tinguj bashkëkohorë që lidhen me R&B dhe dance.
Suksesi i tyre nuk qëndron vetëm te muzika, por edhe te mënyra se si e përkthejnë atë në skenë: koreografi të fuqishme, estetikë vizuale e kuruar dhe një energji që synon drejtpërdrejt publikun.
Pikërisht kjo qasje i ka bërë shumë shpejt një nga emrat më të përfolur në hapësirën digjitale, ku çdo paraqitje e tyre shpërndahet gjerësisht dhe shndërrohet në trend.
Tani, ky momentum pritet të marrë një dimension të ri në Prishtinë, ku publiku do të ketë mundësinë t’i shohë për herë të parë live në një nga festivalet më të mëdha në rajon.
Edicioni i sivjetmë i Sunny Hill duhet theksuar se do të mbahet më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht në Bërnicë. /Telegrafi/






