Dyshohet se kërcënoi bashkëshorten, drejtorit të Spitalit të Mitrovicës i caktohet arrest shtëpiak

Nacionale

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji Gëzim Berishës, drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, i cili dyshohet për veprën penale “Dhuna në familje”. Gjykata ka bërë të ditur se ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës […]

Madhësia e shkronjave

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji Gëzim Berishës, drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, i cili dyshohet për veprën penale “Dhuna në familje”.

Gjykata ka bërë të ditur se ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Berishës.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit G.B. si të pabazuar dhe përmes Aktvendimit ka caktuar masën e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Dyshohet se kërcënoi gruan e tij -kërkohet paraburgim për drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës

Sipas vendimit, Stacioni Policor në Vushtrri është obliguar të zbatojë dhe të verifikojë respektimin e kësaj mase nga i pandehuri.

Në rast të mosrespektimit të saj, Policia duhet ta njoftojë menjëherë gjyqtaren e procedurës paraprake.

Gjykata ka vlerësuar se masa e arrestit shtëpiak është e mjaftueshme për të parandaluar rrezikun e përsëritjes së veprës penale, për të mbrojtur të dëmtuarën dhe për të siguruar zhvillimin e rregullt të procedurës.

Vendimi është marrë duke pasur parasysh edhe faktin se, sipas Gjykatës, i pandehuri dhe e dëmtuara nuk jetojnë më në bashkësi familjare, ndërsa arresti shtëpiak është caktuar në pronën ku viktima nuk banon, me qëllim të shmangies së kontaktit të drejtpërdrejtë mes tyre.

Konfirmohet nga Policia dhe Prokuroria arrestimi i drejtorit të Spitalit të Mitrovicës

Rasti u bë publik më 31 tetor, kur u raportua për arrestimin e Gëzim Berishës. Bashkëshortja e tij kishte raportuar në Polici se kishte përjetuar vazhdimisht dhunë psikike nga ai, me të cilin nuk bashkëjetonte prej disa muajsh.

Sipas raportimeve të mediave, Berisha dyshohet se e kishte kërcënuar bashkëshorten duke i thënë se do t’i ndodhte njëjtë si Arlinda Zekajt, e cila ishte vrarë më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Ndaj vendimit të Gjykatës, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/

Komentet