Kaos në Poloni – presidenti hyn me forcë në Gjykatën Kushtetuese, ambasadori amerikan paralajmëron të gjithë

Bota

Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, ka hyrë mëngjesin e së shtunës në ndërtesën e Gjykatës Kushtetuese në Varshavë, para së cilës gjatë natës kishin protestuar qindra qytetarë, ndërsa në zonë ishte vendosur një numër i madh policësh të pajisur për shpërndarjen e demonstratave. Nawrocki e ndërpreu të premten vizitën në Senegal dhe u kthye në […]

Madhësia e shkronjave

Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, ka hyrë mëngjesin e së shtunës në ndërtesën e Gjykatës Kushtetuese në Varshavë, para së cilës gjatë natës kishin protestuar qindra qytetarë, ndërsa në zonë ishte vendosur një numër i madh policësh të pajisur për shpërndarjen e demonstratave.

Nawrocki e ndërpreu të premten vizitën në Senegal dhe u kthye në Poloni, pasi aleati i tij, Bogdan Swieczkowski, u pezullua nga posti i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Ai ishte emëruar në këtë detyrë gjatë qeverisjes së partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS).

Sipas agjencisë Reuters, gjykata njoftoi se Swieczkowski ishte shkarkuar nga gjyqtarja me përvojën më të gjatë në këtë institucion, Anna Korwin-Piotrowska, e cila më pas mori drejtimin e gjykatës.

Krizë në Poloni, policia “pushton” Gjykatën Kushtetuese – presidenti kthehet urgjentisht në vend

Sipas agjencisë Anadolu, Nawrocki mbërriti në Varshavë të premten, pak para orës 22:00, pasi aeroplani i tij ndryshoi drejtim mbi Spanjë.

Më pas, ai u takua me kryetarin e parë të Gjykatës Supreme, Zbigniew Kapinski, i cili më herët kishte dënuar zhvillimet në Gjykatën Kushtetuese, shkruan cnn.

Qindra protestues u mblodhën para gjykatës të premten vonë në mbrëmje. Pamjet e Reutersit tregojnë përplasjet mes demonstruesve dhe policisë, ndërsa Swieczkowski, i cili ishte pezulluar nga detyra, tentoi të hynte në ndërtesë dhe u ngjit mbi rrethojën, duke biseduar me policët.

Politikanë të krahut të djathtë u thanë protestuesve se qeveria e Donald Tuskut po kryente një grusht shteti kundër gjykatës.

Pesë kërkesa për heqjen e imunitetit

Ministri i Drejtësisë dhe njëkohësisht kryeprokurori, Waldemar Zurek, bëri të ditur se në Gjykatën Kushtetuese kishte dorëzuar pesë kërkesa për heqjen e imunitetit të kryetarit të gjykatës dhe zëvendësit të tij.

“Këto kërkesa përbëjnë gjithsej 224 faqe. Bashkë me to, gjykatës i janë dorëzuar edhe 50 vëllime të dosjeve”, deklaroi ai, duke shtuar se rastet lidhen me vepra të ndryshme penale.

Ministri i Jashtëm polak, Radosław Sikorski, i cili ndodhet në Atlanta në takimin e ministrave të Jashtëm të G20-s, tha se Gjykata Kushtetuese ishte politizuar gjatë qeverisë së mëparshme.

Sipas tij, gjykata ka tashmë tre vjet që ka shumicën e gjyqtarëve të zgjedhur nga parlamenti i ri, por kryetari i deritanishëm nuk e kishte thirrur mbledhjen e saj, duke e pamundësuar edhe miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm.

Ai shtoi se Korwin-Piotrowska kishte kërkuar mbrojtje pasi protestuesit kishin bllokuar ndërtesën.

Reagon ambasadori amerikan

Ambasadori i SHBA-së në Poloni, Tom Rose, shkroi në rrjetin social X se zhvillimet në Gjykatën Kushtetuese janë shumë serioze dhe se bëhet fjalë për një përballje të paprecedentë lidhur me përdorimin e forcës shtetërore dhe pavarësinë e një institucioni kushtetues.

Ai theksoi se të dyja palët po paraqesin versione krejtësisht të ndryshme të ngjarjeve.

Rose u bëri thirrje zyrtarëve, policisë dhe protestuesve të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në dhunë.

Ai shtoi se nuk i takon SHBA-së të gjykojë apo të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Polonisë.

Qeveria e Donald Tuskut nuk i njeh vendimet e Gjykatës Kushtetuese për shkak të gjyqtarëve të emëruar gjatë qeverisjes së partisë PiS.

Në anën tjetër, Nawrocki dhe Swieczkowski nuk i njohin gjyqtarët e zgjedhur nga Sejmi aktual, parlamenti polak, mes të cilëve edhe Anna Korwin-Piotrowska. /Telegrafi/

Komentet