Djali i Thaçit dhe i Veselit në protestën para Kuvendit

Nacionale

Djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, Endrit Thaçi, dhe djali i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, Klestor Veseli, i janë bashkuar protestës që po mbahet para objektit të Kuvendit të Kosovës. Protesta është organizuar nga “Jo në emrin tim”, ndërsa organizatori Çlirim Haziri u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen tubimit pa dallime politike apo partiake. Haziri […]

Madhësia e shkronjave

Djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, Endrit Thaçi, dhe djali i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, Klestor Veseli, i janë bashkuar protestës që po mbahet para objektit të Kuvendit të Kosovës.

Protesta është organizuar nga “Jo në emrin tim”, ndërsa organizatori Çlirim Haziri u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen tubimit pa dallime politike apo partiake.

Haziri tha se protesta ka për qëllim mbështetjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara, sipas tij, nuk duhet të trajtohet si pjesë e pazareve politike.

“Ejani në shesh, pa dallime partie, pa dallime bindje politike, pa dallime mes nesh. Kjo protestë është për UÇK-në, për gjakun e derdhur për liri, është për historinë tonë, e cila nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si çështje e pazareve politike”, deklaroi Haziri.

Ai theksoi se protesta nuk është organizim i një partie apo grupi të caktuar, duke e cilësuar kërkesën për miratimin e ligjit si emergjente.

“Për ne, ky ligj është emergjencë. Kjo protestë nuk është e një partie, kjo protestë nuk është e një grupi, nuk është pronë e askujt”, tha ai.

Haziri iu drejtua edhe kryeministrit Albin Kurti, duke deklaruar se protestuesit kanë qëndruar në shesh për 21 ditë dhe se do të vazhdojnë protestën deri në marrjen e një përgjigjeje për kërkesën e tyre.

“Kryeministër, ne jemi këtu, kemi qëndruar dje këtu, kemi qëndruar që 21 ditë dhe do të vazhdojmë të jemi këtu derisa kërkesa jonë të marrë përgjigje”, u shpreh ai.

Në fund, Haziri kërkoi nga deputetët që ta miratojnë Projektligjin për Dhomat e Specializuara, duke e cilësuar atë si “Ligjin për UÇK-në”.

“Ne kemi një kërkesë të qartë: votojeni Ligjin për Dhomat e Specializuara, votoje Ligjin për UÇK-në”, tha Haziri.

Protesta po vazhdon para Kuvendit të Kosovës, ndërsa pjesëmarrësit po qëndrojnë në zonën përreth objektit të Kuvendit./Telegrafi.