Deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në votimin për Ligjin për Specialen

Nacionale

Deputetet e LDK-së nuk kanë marrë pjesë në votim të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ndërkaq, para votimit Jehona Lushaku-Sadriu deklaroi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e shenjtë, por ka bërë të ditur se partia e saj nuk mund të […]

Madhësia e shkronjave

Deputetet e LDK-së nuk kanë marrë pjesë në votim të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Ndërkaq, para votimit Jehona Lushaku-Sadriu deklaroi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e shenjtë, por ka bërë të ditur se partia e saj nuk mund të bëhet pjesë e nismës së propozuar.

Ajo ka theksuar se asnjë përgjegjësi individuale nuk mund të shndërrohet në fajësi kolektive dhe se një përgjegjësi e tillë nuk mund ta zhbëjë karakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së.

Lushaku-Sadriu ka thënë se nuk mund t’u premtohet qytetarëve se një votim në Kuvend mund të zhbëjë një aktgjykim apo të zëvendësojë betejën juridike.

Sipas saj, ndryshimi i një ligji të zakonshëm nuk mund të shfuqizojë detyrimet ekzistuese dhe as të anashkalojë Kushtetutën e Kosovës.

“Ndryshimi i një ligji të zakonshëm nuk i shfuqizon detyrimet dhe nuk mund ta anashkalojë Kushtetutën. Vetë miratimi i këtyre ndryshimeve nuk garanton zbatimin e tyre dhe as rezultatin që u premtohet qytetarëve sot”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka ngritur gjithashtu shqetësimin se ndryshimet e miratuara mund të mos i nënshtrohen kontrollit kushtetues, duke vënë në pikëpyetje efektin juridik që synohet të arrihet përmes kësaj nisme.

Lushaku-Sadriu ka theksuar se, për LDK-në, rruga për të kundërshtuar apo ndryshuar një aktgjykim është përmes institucioneve gjyqësore dhe mjeteve juridike në dispozicion.

“Për LDK-në, rruga e vetme për të ndryshuar një aktgjykim është rruga gjyqësore, rruga e Apelit”, ka thënë Lushaku-Sadriu. /Telegrafi/