Danimarka kërkon prani afatgjatë të NATO-s në Grenlandë pas marrëveshjes me Trumpin

Bota

Danimarka pret që prania e shtuar ushtarake e NATO-s në Grenlandë dhe në gjithë rajonin e Arktikut të vazhdojë përtej dy viteve të ardhshme dhe, nëse është e mundur, të shndërrohet në një angazhim afatgjatë të Aleancës. Ministri danez i Mbrojtjes, Jeppe Bruus, tha për Reuters në Bruksel se Kopenhaga është “mjaft pozitive” se rritja […]

Madhësia e shkronjave

Danimarka pret që prania e shtuar ushtarake e NATO-s në Grenlandë dhe në gjithë rajonin e Arktikut të vazhdojë përtej dy viteve të ardhshme dhe, nëse është e mundur, të shndërrohet në një angazhim afatgjatë të Aleancës.

Ministri danez i Mbrojtjes, Jeppe Bruus, tha për Reuters në Bruksel se Kopenhaga është “mjaft pozitive” se rritja e pranisë ushtarake në Grenlandë dhe Arktik do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.

Në qendër të kësaj qasjeje është Arctic Sentry, aktiviteti shumëdimensional i NATO-s i nisur në shkurt 2026 për të koordinuar stërvitjet, patrullimet dhe kapacitetet aleate në Arktik dhe në zonën e Lartë të Veriut. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se aktiviteti synon të forcojë mbrojtjen e rajonit përballë rritjes së aktivitetit të Rusisë dhe interesimit të Kinës.

Deklarata e Bruus vjen pak ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump, kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen nënshkruan një marrëveshje të re sigurie në Nju Jork, transmeton Telegrafi.

Marrëveshja parashikon zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane në Grenlandë, përfshirë dy baza të reja përtej bazës ekzistuese amerikane në Pituffik, ndërsa njëkohësisht i jep NATO-s një rol më të madh në sigurinë e Arktikut.

Sipas ministrit danez, një angazhim më i madh i NATO-s është veçanërisht i rëndësishëm për shkak të ndryshimeve klimatike, të cilat po shkrijnë akullin dhe po hapin gradualisht rrugë të reja detare në Arktik.

“Rritja e interesimit për Arktikun, edhe nga Rusia, Kina e të tjerë, kërkon që NATO të ketë një prani më të madhe në veriun e largët”, deklaroi Bruus.

Edhe udhëheqja e NATO-s e ka lidhur forcimin e pranisë në Arktik me ndryshimet strategjike në rajon. Mark Rutte ka argumentuar se hapja e rrugëve detare dhe aktiviteti në rritje i Rusisë dhe Kinës e bëjnë të nevojshme një qasje më të koordinuar të Aleancës.

Për Danimarkën, marrëveshja e re shënon gjithashtu një ndryshim të rëndësishëm pas muajsh tensionesh me administratën Trump, e shkaktuara nga kërkesa e presidentit amerikan për të marrë kontrollin e Grenlandës.

Marrëveshja e re nuk e ndryshon statusin e Grenlandës, por krijon një kornizë të re për praninë amerikane dhe përfshirjen e NATO-s në mbrojtjen e territorit strategjik, në një kohë kur Arktiku po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për sigurinë, transportin detar dhe konkurrencën gjeopolitike mes fuqive të mëdha. /Telegrafi/