Këngëtarja e njohur, Kida, i ka dhënë sonte fund beqarisë, duke kurorëzuar dashurinë me partnerin e saj, Ajbin, në një ceremoni të veçantë.
Çifti ka zgjedhur qytetin magjik të Romës për këtë moment të rëndësishëm të jetës së tyre, duke organizuar ceremoninë në një prej rezidencave më luksoze të kryeqytetit italian.
Ambienti elegant dhe pamja spektakolare mbi Romën i kanë dhënë ceremonisë një atmosferë përrallore.

Pamjet e publikuara nga “Prive by Liberta Spahiu” tregojnë momente nga ceremonia, teksa çifti po përgatitej për të shkëmbyer betimet martesore dhe për të nisur një kapitull të ri së bashku.
Në pamjet e publikuara, Kida shihet teksa shoqërohet drejt altarit nga prindërit e saj. Artistja kishte zgjedhur një fustan të bardhë nusërie, të ngushtë pas trupit dhe të zbukuruar me detaje elegante prej dantelle.
Pjesa e pasme e fustanit kishte një element të veçantë, i cili i jepte pamjes së saj një tjetër dimension dhe e bënte dukjen edhe më elegante.
Në anën tjetër, Ajbi e priste në altar i veshur me një kostum elegant në ngjyrë të bardhë dhe të zezë.
Pas tij shtrihej panorama mahnitëse e qytetit të Romës, duke krijuar një sfond perfekt për një nga momentet më të rëndësishme të mbrëmjes.
Sapo Kida iu afrua, Ajbi e priti me emocion dhe i dhuroi një puthje të ëmbël në ballë.





