Çfarë shkruante mediumi i madh britanik për Bleon Kurtulusin dy vite më parë, talentin që tani zgjodhi Kosovën?

Sport

Bleon Kurtulus është një prej emrave më interesantë në mesin e prurjeve të reja të Kombëtares së Kosovës, pasi mbrojtësi i talentuar ka vendosur ta përfaqësojë vendin e origjinës, duke lënë pas rrugëtimin e tij me Suedinë. Për Kurtulusin, ky vendim vjen pas një periudhe në të cilën ai kishte tërhequr vëmendjen e mediave dhe […]

Madhësia e shkronjave

Bleon Kurtulus është një prej emrave më interesantë në mesin e prurjeve të reja të Kombëtares së Kosovës, pasi mbrojtësi i talentuar ka vendosur ta përfaqësojë vendin e origjinës, duke lënë pas rrugëtimin e tij me Suedinë.

Për Kurtulusin, ky vendim vjen pas një periudhe në të cilën ai kishte tërhequr vëmendjen e mediave dhe vëzhguesve të futbollit evropian. Madje, para dy vitesh, mediumi prestigjioz britanik The Guardian e përfshinte atë në listën e 60 talenteve më të mira të futbollit botëror, në projektin e përvitshëm “Next Generation 2024”.

Në atë kohë, Kurtulus ishte pjesë e Halmstadit në elitën e futbollit suedez dhe ishte vetëm 17-vjeçar.

The Guardian e vlerësonte për aftësitë në pasime dhe lojën në mbrojtje, duke e veçuar si një futbollist me potencial të madh për të ardhmen.

Një prej momenteve që kishte bërë përshtypje ishte debutimi i tij në Allsvenskan, në moshën 16-vjeçare, në një ndeshje ndaj Hammarbyt, ku luante edhe vëllai i tij më i madh, Edvin Kurtulus.

Bleoni kishte përjetuar emocione të veçanta gjatë atij debutimi, ndërsa në maj të vitit 2024 ishte edhe kapiten i Suedisë U17 në Kampionatin Evropian.

Në artikullin e publikuar më 15 tetor 2024, The Guardian theksonte se disa klube suedeze po e ndiqnin zhvillimin e tij, ndërsa Roma kishte shfaqur interesim për mbrojtësin e ri. Kjo dëshmon se Kurtulusi kishte nisur të fitonte vëmendje përtej futbollit suedez që në një moshë shumë të hershme.

Kurtulus në mesin e yjeve të Barcelonës

Rrugëtimi i tij në nivel klubesh ka vazhduar me hapa të rëndësishëm. Pas periudhës te Halmstadi, në shkurt të vitit 2026 ai iu bashkua Malmos, ku nënshkroi kontratë pesëvjeçare. Klubi suedez e përshkroi atë si një qendërmbrojtës me aftësi teknike, kuptim të mirë të lojës dhe pjekuri në vendimmarrje, pavarësisht moshës së re.

Ndërkohë, në aspektin ndërkombëtar, Bleon kishte përfaqësuar Suedinë në grupmoshat e reja, përfshirë U17, U19 dhe U21. Ai ishte një prej futbollistëve që po ndërtonte karrierën me grupmoshat e Suedisë, por tashmë ka zgjedhur një rrugë tjetër.

Kosova fiton kështu një mbrojtës të ri, i cili jo vetëm që ka përvojë në futbollin elitar suedez, por edhe është vlerësuar më herët nga një prej mediave më të njohura sportive në botë si talent me potencial të madh./Telegrafi/

Komentet