“Call of Duty: Modern Warfare 4” ka marrë vlerësime pozitive për fushatën e saj, e cila konsiderohet ndër më të mirat e serisë në vitet e fundit. Loja spikat për historinë, zhvillimin e personazheve dhe misionet që ndërthurin aksionin me elemente të reja të lojës.
Fushata përfshin 16 misione dhe vazhdon historinë e serisë së rinisur “Modern Warfare”. Ndryshe nga disa prej titujve të mëparshëm, të cilët janë kritikuar për histori të shkurtra dhe misione që nuk arrinin të shfrytëzonin plotësisht potencialin e tyre, kjo lojë synon të rikthejë përvojën klasike që i ka bërë të njohur titujt e serisë.

Një nga elementet që e dallon lojën është vendosja e konfliktit në Kore. Historia përqendrohet te Parku dhe njësia e tij, ndërsa në ngjarje përfshihen edhe personazhe të njohura, si kapiteni John Price. Sipas vlerësimit të recensuesit, personazhet kanë më shumë peshë në zhvillimin e ngjarjeve dhe nuk shërbejnë vetëm si pjesë e skenave të aksionit.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet misionit “Stranded”, ku lojtari mbetet pas vijave të armikut dhe duhet të mbledhë burime, të sigurojë pajisje dhe të planifikojë lëvizjet për të mbijetuar. Liria për të zgjedhur objektivat dhe mënyrën e përballjes me kundërshtarët e bën këtë mision një nga pikat më të spikatura të fushatës.
Loja vlerësohet gjithashtu për regjinë, skenat kinematografike dhe larminë e mjediseve. Përleshjet zhvillohen në zona urbane, ndërtesa të shkatërruara, plazhe dhe llogore, duke krijuar situata të ndryshme luftarake. Grafika, ndriçimi dhe dizajni i niveleve kontribuojnë në përvojën e përgjithshme.
Megjithatë, fushata nuk është pa mangësi. Disa zhvillime të historisë përmbyllen shpejt, ndërsa personazhi Archer, i paraqitur si kërcënim serioz, nuk merr hapësirë të mjaftueshme për t’u zhvilluar plotësisht.
Pavarësisht këtyre kritikave, vlerësimi përfundimtar është pozitiv. Recensuesi i ka dhënë lojës 9 nga 10 pikë, duke veçuar historinë, personazhet dhe mënyrën se si misionet tradicionale ndërthuren me mekanika të reja të lojës. /Telegrafi/





