Prodhuesi kinez i veturave BYD do të prezantojë shtatë modele të reja gjatë tremujorit të katërt të vitit 2026, në përpjekje për të rritur shitjet dhe për të forcuar pozitën e tij në tregun gjithnjë e më konkurrues të automjeteve.
Sipas të dhënave të publikuara nga gazetarët e agjencisë Cailian Press, gama e re do të përfshijë vetura për përdorim të përditshëm, me çmime rreth 13 mijë e 500 euro, si dhe supervetura plotësisht elektrike që kushtojnë mbi 130 mijë euro.
Një nga modelet kryesore është Dahan EV, një sedan elektrik i klasës së mesme dhe të lartë, i destinuar për familjet dhe përdoruesit e biznesit. Çmimi i tij paraprak sillet nga rreth 33 mijë deri në 40 mijë euro.

Ndërkohë, BYD pritet të prezantojë edhe gjeneratën e tretë të SUV-it Tang, gjatë tetorit ose nëntorit. Përveç kësaj, seria Ocean do të zgjerohet me gjeneratën e dytë të modelit Seagull, i cili tani do të ketë pesë ulëse, në vend të katër, dhe do të synojë kryesisht vozitjen në qytet dhe udhëtimet e shkurtra.
Në këtë seri do të përfshihet edhe Seal 07, një sedan sportiv elektrik që do të konkurrojë në segmentin e veturave elektrike sportive.
Një tjetër markë e grupit BYD, Fangchengbao, e cila po shënon rritje të shpejtë të shitjeve, planifikon të prezantojë dy modele të reja deri në fund të vitit: Shark, një kamionetë hibride me mundësi karikimi nga jashtë, dhe Titanium 9.
Në segmentin e veturave luksoze, vëmendje të veçantë ka modeli Denza Z, i cili u prezantua në Festivalin e Shpejtësisë në Goodwood, në Britani të Madhe, gjatë vitit 2026. Ai do të ofrohet në tri versione: kupe me çati fikse, kabriolet dhe një variant të dedikuar për pistat e garave.
Ofensiva e re vjen në një kohë kur BYD po përballet me rënie të shitjeve. Nga janari deri në shtator të këtij viti, kompania shiti gjithsej 3,13 milionë automjete në nivel global, rreth 3,94 për qind më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Për këtë arsye, tremujori i fundit i vitit konsiderohet vendimtar për kompaninë. Analistët vlerësojnë se BYD do të mbështetet te modelet më të përballueshme dhe ato familjare për të ruajtur vëllimin e shitjeve, ndërsa veturat e segmentit të lartë pritet të ndihmojnë në rritjen e vlerës së markës dhe të fitimeve. /Telegrafi/




