Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka reaguar pas fjalimit të zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Haradinaj ka shprehur pakënaqësi me mënyrën se si Konjufca e ka trajtuar çështjen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke e kritikuar ashpër për qëndrimin e tij.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen për Kosovën, Konjufca ka shprehur pritjen që këto gabime të korrigjohen gjatë procesit të apelit, duke theksuar rëndësinë e një procesi gjyqësor të paanshëm dhe të bazuar në fakte e prova.

“Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së përmban gabime në fakte dhe në përmbajtje. Ne presim që këto gabime të korrigjohen në procesin e apelit. Drejtësia duhet të jetë e paanshme, të mbështetet në fakte dhe prova dhe të garantojë një proces të drejtë për të gjithë”, është shprehur Konjufca.
Ndërkaq në një reagim, Haradinaj ka thënë se nuk e kishte pritur që Kosova të paraqitej në këtë mënyrë para bashkësisë ndërkombëtare.
“Një Kosovë e poshtëruar deri në këtë pikë kurrë s’e kam prit. Bota po na sheh çuditshëm, sikur na kemi vra e pre popuj, pa e thënë të vërtetën për luftën dhe gjakderdhjen tonë për liri”, ka shkruar Haradinaj.
Konjufca në OKB: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së përmban gabime, presim korrigjimin në apel
Ai i është drejtuar drejtpërdrejt Konjufcës me fjalët “Marre, Glauk!”, duke theksuar se do të vazhdojë të kërkojë, siç është shprehur, të vërtetën për luftën e Kosovës.
“Kurrë s’kemi me u ndalë deri te e vërteta jonë, o të pafytyrë!”, ka shkruar deputeti i AAK-së.
Në fund të reagimit, Haradinaj i është drejtuar edhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke e pyetur për qëndrimin e saj lidhur me këtë çështje.