Britania do ta rishqyrtojë marrëveshjen për kthimin e Ishujve Chagos te Mauritius, pasi presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi atë si një “marrëveshje të tmerrshme” gjatë takimit të parë me kryeministrin britanik Andy Burnham.
Ministri britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, tha se Londra do të rikthehet në tryezën e negociatave për të riformuluar marrëveshjen në mënyrë që ajo të jetë e pranueshme edhe për Shtetet e Bashkuara.
Trump dhe Burnham u takuan të martën në Nju Jork, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Gjatë takimit, Trump tha se pret që kryeministri britanik ta rishqyrtojë marrëveshjen, të cilën e quajti “të tmerrshme”. Burnham u pajtua duke thënë “po”.
Më vonë, kryeministri britanik deklaroi se qeveria e tij do të punojë për ta zgjidhur çështjen dhe shprehu bindjen se një marrëveshje mund të gjendet në bashkëpunim me partnerët amerikanë, transmeton Telegrafi.
Streeting tha për BBC-në se kundërshtimet e Trumpit nuk ishin të reja për qeverinë britanike, por komentet e tij të fundit e bënë “plotësisht të qartë” se Uashingtoni nuk e mbështet marrëveshjen në formën e saj aktuale.
Ai konfirmoi gjithashtu se Britania nuk do të kryejë, të paktën për momentin, pagesat vjetore prej të paktën 120 milionë funtëshe, rreth 139 milionë euro, që parashikoheshin si qira për bazën ushtarake në Diego Garcia.
Marrëveshja e arritur vitin e kaluar mes qeverisë britanike dhe Mauritiusit parashikonte që Britania t’ia kthente ish-kolonisë së saj sovranitetin mbi arkipelagun Chagos. Në të njëjtën kohë, Londra do të merrte me qira për 99 vjet bazën strategjike amerikano-britanike në Diego Garcia, me mundësi zgjatjeje.
Britania kishte njoftuar në prill se zbatimi i marrëveshjes ishte pezulluar. Trump fillimisht e kishte mbështetur paktin, por më vonë ndryshoi qëndrim dhe e cilësoi atë si “një akt marrëzie të madhe”, duke shkaktuar tensione mes Londrës dhe administratës së tij.
Qeveria britanike e ka mbrojtur marrëveshjen duke argumentuar se vendimet ndërkombëtare kanë dobësuar pretendimin e Londrës mbi sovranitetin e ishujve dhe se një marrëveshje me Mauritiusin është mënyra për të garantuar përdorimin e vazhdueshëm të bazës nga SHBA-ja dhe Britania.
Britania mbajti kontrollin mbi Ishujt Chagos kur Mauritius fitoi pavarësinë në vitet 1960. Mijëra banorë të ishujve u dëbuan nga autoritetet britanike dhe që atëherë kanë ngritur kërkesa për kompensim në gjykatat britanike.
Në vitin 2019, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë arriti në përfundimin se ndarja e Chagos nga Mauritius gjatë procesit të dekolonizimit ishte e paligjshme.
Partia Konservatore në opozitë kërkon që marrëveshja të braktiset plotësisht. Zëdhënësi i saj për mbrojtjen, James Cartlidge, tha se pakti “duhet të hidhet në kosh”.
Streeting e kundërshtoi këtë qasje, duke argumentuar se çështja nuk mund të lihet mënjanë, sidomos për shkak të rëndësisë së bazës së Diego Garcias për sigurinë kombëtare.
Diego Garcia është një pikë strategjike për operacionet ushtarake amerikane dhe britanike në Oqeanin Indian, ndërsa e ardhmja e marrëveshjes është bërë pjesë e një diskutimi më të gjerë mbi marrëdhëniet e sigurisë mes Londrës dhe Uashingtonit.
Çështja pritet të mbetet në agjendën e qeverisë britanike ndërsa ajo përpiqet të gjejë një formulë që të ruajë përdorimin e bazës, të respektojë marrëveshjet me Mauritiusin dhe njëkohësisht të marrë mbështetjen e administratës Trump. /Telegrafi/






