Bujanoci është zgjuar sot i mbuluar nga bora, duke krijuar pamje dimërore, por edhe duke vështirësuar qarkullimin rrugor. Reshjet e borës kanë përfshirë qytetin dhe zonat përreth, ndërsa rrugët aktualisht janë të kalueshme, por kërkojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes.
Autoritetet kompetente apelojnë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të tregojnë kujdes të veçantë, sidomos gjatë udhëtimeve drejt zonave malore. Rrugët që shpien për në Breznicë dhe Dobrosin, të cilat frekuentohen shpesh si alternativa për shkak të kolonave që herë pas here krijohen në pikën kufitare të Konçulit, janë të mbuluara me borë dhe qarkullimi në to duhet të bëhet vetëm me pajisje dimërore.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës, të respektojnë sinjalistikën dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme, me qëllim rritjen e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve./BujanociNet/
(Fotot shoqëruese paraqesin pamje nga Bujanoci i mbuluar me borë)























