Kompania gjermane, BMW ka bërë të ditur se modeli i ri elektrik BMW i3 ka shkaktuar interes të jashtëzakonshëm te blerësit, ndaj kompania do të hapë më herët se sa ishte planifikuar listën e porosive.
Modeli i ri, i cili përfaqëson një hap të rëndësishëm në strategjinë elektrike të BMW-së, bazohet në platformën e re teknologjike “Neue Klasse” dhe synon të sjellë një gjeneratë të re të automjeteve elektrike të markës.

Sipas kompanisë, reagimi i klientëve ka qenë më i madh nga pritshmëritë, duke e shtyrë BMW-në të përshpejtojë procesin e porosive për automjetin. Interesi i lartë shihet si një sinjal pozitiv për kërkesën ndaj modeleve elektrike, në një kohë kur industria automobilistike po kalon një transformim të madh drejt elektrifikimit.
BMW i3 i ri do të jetë një sedan plotësisht elektrik dhe pritet të ofrojë teknologji të avancuara, përfshirë bateri të gjeneratës së re, autonomi të lartë dhe karikim shumë të shpejtë.
Sipas të dhënave të publikuara nga BMW, versioni i3 50 xDrive do të ketë teknologji 800 volt dhe mund të arrijë një autonomi deri në rreth 900 kilometra sipas ciklit WLTP (vlera paraprake).
Me këtë model, BMW synon të konkurrojë më fuqishëm në tregun e veturave elektrike dhe të rikthejë emrin i3 si një nga modelet kryesore të epokës së re elektrike të kompanisë. /Telegrafi/





