Bilanci i përmbytjeve katastrofike në Nepal rritet në 734 të vdekur – afro 2,500 persona rezultojnë të zhdukur

Bota

Bilanci i viktimave nga përmbytjet katastrofike në Nepal ka shkuar në 734 të vdekur, ndërsa rreth 2,500 persona rezultojnë të zhdukur, sipas të dhënave të fundit të Autoritetit Kombëtar për Reduktimin dhe Menaxhimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë (NDRRMA). Sipas autoriteteve, deri në orën 09:00 sipas kohës lokale në Nepal, ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nxjerrë nga […]

Madhësia e shkronjave

Bilanci i viktimave nga përmbytjet katastrofike në Nepal ka shkuar në 734 të vdekur, ndërsa rreth 2,500 persona rezultojnë të zhdukur, sipas të dhënave të fundit të Autoritetit Kombëtar për Reduktimin dhe Menaxhimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë (NDRRMA).

Sipas autoriteteve, deri në orën 09:00 sipas kohës lokale në Nepal, ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nxjerrë nga zonat e goditura 734 trupa, 59 më shumë se bilanci i raportuar një mbrëmje më parë, kur ishin konfirmuar 675 viktima.

Distrikti më i goditur është Chitwan, ku janë gjetur 259 trupa. Pas tij renditet Nawalparasi Lindor me 184 viktima, ndërsa në Nawalparasi Perëndimor janë regjistruar 82 viktima.

Autoritetet paralajmërojnë se shifrat mund të rriten më tej, pasi 2,498 persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur. Mes tyre janë edhe 589 shtetas të huaj, duke e bërë katastrofën një tragjedi me përmasa ndërkombëtare.

Ndërkohë, operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në zonat më të goditura. Deri tani, rreth 8,200 persona janë shpëtuar, ndërsa ekipet po përpiqen të arrijnë edhe komunitetet e izoluara nga ujërat, rrëshqitjet e dheut dhe dëmtimet e rënda në infrastrukturë.

Katastrofa është lidhur me përmbytje të jashtëzakonshme në zonat pranë kufirit Nepal–Tibet, ndërsa të dhënat satelitore kanë ngritur dyshime se shembja masive e akullit, borës dhe shkëmbinjve nga një akullnajë në Himalaje mund të ketë shkaktuar një valë gjigante uji dhe mbetjesh që u përhap përgjatë luginave.

Përmasat e fatkeqësisë dhe numri i lartë i personave të zhdukur e bëjnë këtë një nga katastrofat më të rënda natyrore të viteve të fundit në Nepal. /Telegrafi/