Kosova duhet të krijojë një Fond të Sigurimeve Shoqërore përmes të cilit do të mbuloheshin lehonia, papunësia, lëndimet në vendin e punës dhe pushimet e zgjatura shëndetësore, ka propozuar Brikena Berisha nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS).
Në episodin e tetë të podcastit “Rrugëtimi”, Berisha e lidhi këtë propozim edhe me emigrimin, duke thënë se hulumtimet e tyre tregojnë se njerëzit nuk largohen vetëm për shkak të pagës.
“Dhe populli, sepse të gjitha hulumtimet tona, edhe për emigrimin, nuk na dalin që të shkojnë për një pagë, po shkojnë për barrierat sistemike, të cilat janë shumë të rënda në Kosovë. Edhe për me ndërhy në këto, propozimi ynë është që Kosova duhet me kriju një Fond të Sigurimeve Shoqërore”, tha Berisha.
Ajo përmendi si një prej formulave të mundshme financimin e përbashkët nga punëdhënësi dhe punëtori.

“Ajo padyshim e kërkon një tatim shtesë. Janë disa formula, mundet me qenë që me pagu tre për qind punëdhënësi dhe tre për qind punëtori. Unë jam me u bo kjo para sigurimit shëndetësor, përpara tij është më e nevojshme”, tha ajo.
Sipas Berishës, në një fond të tillë do të mund të përfshiheshin disa prej përgjegjësive sociale që aktualisht rëndojnë mbi punëtorin ose punëdhënësin.
“Këtu mandej kish kalu krejt mbrojtja sociale. Kish kalu leja e lehonisë. Kish kalu Fondi i Papunësisë. Kishin kalu fondi për lëndimet në vendin e punës, kishin kalu në këtë fond edhe pushimet e zgjatura shëndetësore, sepse me ligjin aktual ne i kemi vetëm 20 ditë”, deklaroi Berisha.
Për ta ilustruar problemin, ajo mori shembullin e një punëtori që duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjike dhe të qëndrojë jashtë punës më gjatë sesa periudha e mbuluar aktualisht.
“Me një operim të thjeshtë të gjurit, mjeku ta shkruan gjashtë javë me ndejtë në pushim. Edhe tash ti menjëherë bëhesh i cenueshëm ndaj punëdhënësit: a ka me t’i falë qato dy javë? A ki me kalu në pushim pa pagesë? Nuk ekziston shteti me të ndihmu”, tha ajo.
Punëtorët e huaj në Kosovë, Berisha: Duhet të dimë për cilat profesione kemi vërtet nevojë
Sipas Berishës, përfshirja e këtyre rreziqeve në një sistem të sigurimeve shoqërore do ta ndryshonte edhe pozitën negociuese të punëtorit përballë punëdhënësit.
“Kur ti si punëtor del në treg i zhveshur nga kjo barrë, t’i negocion ndryshe. Ti nuk je më i cenueshëm para punëdhënësit”, deklaroi ajo.
Berisha argumentoi gjatë podcastit se një sistem i tillë do t’u shërbente njëkohësisht punëtorëve dhe punëdhënësve, pasi një pjesë e rreziqeve sociale nuk do të binin drejtpërdrejt vetëm mbi njërën palë. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com





