Ministri në detyrë i Infrastruktures dhe Transportit Dimal Basha është takuar në Tiranë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Enea Karakaçi.
Sipas njoftimit, gjatë takimit u diskutua për realizimin e njërit prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore për Kosovën dhe Shqipërinë, hekurudhën Durrës–Prishtinë.

“Ministrit Karakaçi i shpreha përkushtimin e plotë të Kosovës për ta jetësuar këtë projekt strategjik, pavarësisht sfidave dhe kostos që kërkon”, ka shkruar Basha.
Ai tha se bashkë, janë dakorduar se kjo linjë hekurudhore me impakt për tërë Evropën Juglindore do të shërbejë si lidhje e mëtutjeshme kombëtare dhe si korridor i ri zhvillimi mes dy vendeve.
“Kjo lidhje e drejtpërdrejtë do t’i afrojë më shumë qytetarët tanë, do ta lehtësojë lëvizjen e mallrave dhe rritë potencialin ekonomik të të dy vendeve”, shkruan ai.
Sipas tij, projektet që bashkojnë shqiptarët janë investime në dobi të të ardhmes tonë të përbashkët e me fryte që do t’i gëzojnë edhe pasardhësit tanë.





