Barcelona arrin marrëveshje me Raphinhan, braziliani pritet të nënshkruajë kontratën e re

Sport

Barcelona ka arritur marrëveshje për vazhdimin e kontratës me Raphinhan, i cili pritet të zyrtarizojë marrëveshjen e re këtë të enjte, më 5 nëntor, duke u lidhur me klubin katalunas deri më 30 qershor të vitit 2030. Marrëveshja mes dy palëve është arritur prej disa javësh dhe tashmë ka mbetur vetëm ceremonia zyrtare e nënshkrimit. […]

Madhësia e shkronjave

Barcelona ka arritur marrëveshje për vazhdimin e kontratës me Raphinhan, i cili pritet të zyrtarizojë marrëveshjen e re këtë të enjte, më 5 nëntor, duke u lidhur me klubin katalunas deri më 30 qershor të vitit 2030.

Marrëveshja mes dy palëve është arritur prej disa javësh dhe tashmë ka mbetur vetëm ceremonia zyrtare e nënshkrimit. Sipas mediumit spanjoll Sport, gjithçka mori drejtimin e duhur pas një takimi mes drejtorit sportiv Deco dhe futbollistit brazilian.

Kontrata aktuale e Raphinhas me Barcelonën është e vlefshme deri në vitin 2028, pasi ai kishte nënshkruar vazhdimin e mëparshëm në maj të vitit 2025.

Me marrëveshjen e re, 29-vjeçari do të shtojë edhe dy sezone në kontratën e tij, duke garantuar qëndrimin në “Camp Nou” deri në vitin 2030.

Vonesa në zyrtarizimin e marrëveshjes nuk ka ardhur si pasojë e ndonjë mosmarrëveshjeje financiare apo sportive, por vetëm për shkak të vështirësive në përshtatjen e agjendave të klubit dhe futbollistit.

Vetë Deco kishte konfirmuar gjatë Asamblesë së Delegatëve se rinovimi ishte në rrugën e duhur, ndërsa tashmë klubi katalunas ka gjetur momentin e përshtatshëm për ta finalizuar zyrtarisht marrëveshjen.

Raphinha vjen në këtë rinovim pas një forme të jashtëzakonshme. Braziliani realizoi dy gola në fitoren 3-0 ndaj Aston Villas në Ligën e Kampionëve, duke e çuar në 19 numrin e golave të shënuar këtë sezon në të gjitha garat.

Në total, ai ka realizuar 94 gola në 190 paraqitje me fanellën e Barcelonës, duke barazuar shifrat e legjendave Ronaldinho dhe Jose Mari Bakero. Vetëm në La Liga ka shënuar 15 gola këtë sezon, ndërsa katër të tjerë i ka realizuar në Ligën e Kampionëve.

Përveç kontributit në aspektin ofensiv, Raphinha është shndërruar edhe në një prej liderëve të skuadrës së Hansi Flickut, duke mbajtur rolin e kapitenit dhe duke qenë një nga lojtarët kryesorë në sistemin e presionit të trajnerit gjerman.

Vendimi për vazhdimin e bashkëpunimit vjen edhe pas dëshirës së shprehur publikisht nga vetë futbollisti në shtator, kur kishte bërë të qartë se synonte të qëndronte në Barcelonë dhe të zgjaste kontratën e tij.

Nëse nuk ka ndonjë ndryshim të papritur, Raphinha pritet ta nënshkruajë kontratën e re këtë të enjte, në prani të presidentit Joan Laporta dhe drejtorit sportiv Deco, duke siguruar kështu të ardhmen e tij në klubin katalunas deri në vitin 2030. /Telegrafi/

Komentet