Avokati nga Beogradi: Pres arrestimin e Vuçiqit

Bota

Lista Studentore, e cila ka fituar zgjedhjet në Serbi, e ka shtyrë përkohësisht krijimin e shumicës parlamentare dhe formimin e qeverisë së re. Megjithatë, përfaqësuesit e saj kanë deklaruar se nuk do të heqin dorë nga kërkesa për ndjekjen urgjente penale të figurave kryesore të pushtetit të ish-presidentit Aleksandar Vuçiq. Duke komentuar situatën paszgjedhore për […]

Madhësia e shkronjave

Lista Studentore, e cila ka fituar zgjedhjet në Serbi, e ka shtyrë përkohësisht krijimin e shumicës parlamentare dhe formimin e qeverisë së re.

Megjithatë, përfaqësuesit e saj kanë deklaruar se nuk do të heqin dorë nga kërkesa për ndjekjen urgjente penale të figurave kryesore të pushtetit të ish-presidentit Aleksandar Vuçiq.

Duke komentuar situatën paszgjedhore për televizionin kroat HRT, avokati nga Beogradi, Çedomir Stojkoviq, deklaroi se ndjekje të tilla nuk do të mund të ndodhnin nëse Serbia do të ishte anëtare e Bashkimit Evropian.

Stojkoviq, i cili gjatë pushtetit të mëparshëm ishte ndaluar nën akuzat për përmbysjen e rendit kushtetues për shkak të publikimeve të tij në rrjetet sociale, kujtoi gjithashtu se më herët kishte ngritur kallëzim penal kundër Aleksandar Vuçiqit për rolin e pretenduar në vrasjen e civilëve me pushkë snajper gjatë luftës në Sarajevë, në rastin e njohur si “Safari i Sarajevës”. Për këtë arsye, ai ishte arrestuar.

As një javë nuk ka kaluar pas humbjes së pushtetit, Vuçiq akuzon studentët për përndjekje politike

Sipas Stojkoviqit, kërkesat për ndalimin e pjesëtarëve të regjimit të deritanishëm janë plotësisht të justifikuara, tani që frika në shoqëri është zbehur.

Ai pretendon se në Serbi po zhvillohet një përpjekje për të fshehur abuzimet financiare dhe shkeljet ligjore që kanë ndodhur ndër vite.

“Kemi parë vepra të dukshme penale para kamerave, duke filluar nga televizioni Informer, i cili përvetësonte para publike për t’i quajtur qytetarët fundërrina, e deri te policët që rrihnin gra dhe fëmijë në rrugë. Kemi jetuar nën një tirani që fshihej pas errësirës mediatike”, deklaroi Stojkoviq për HRT-në.

Ai shtoi se pret që shumë zyrtarë të lartë të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të përfundojnë në gjykatë për pasurim të paligjshëm.

Duke folur për të ardhmen politike të ish-presidentit serb, Stojkoviq pretendoi se ndikimi i Vuçiqit është zhdukur në mënyrë të pakthyeshme dhe se ai tashmë është margjinalizuar politikisht.

“Vuçiqi është bërë histori, ai nuk ekziston më si faktor real politik. Pres arrestimin e tij, sepse pas tij qëndrojnë shumë vepra penale të kryera. Kaosi i vetëm i vërtetë në Serbi është krijuar pikërisht prej tij, përmes vendosjes së paligjshmërisë së plotë në institucione”, përfundoi Stojkoviq. /Telegrafi/

Komentet